Ballina Ekonomia Bizneset po largohen nga kreditë në euro, huamarrja në lekë rritet me...

Bizneset po largohen nga kreditë në euro, huamarrja në lekë rritet me 10% në një vit

56
0

Bizneset po orientohen gjithnjë e më shumë drejt huamarrjes në monedhën vendase, ndërsa pesha e ndërmarrjeve që kanë kredi në euro ka shënuar rënie të ndjeshme gjatë vitit të fundit.

Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, 58% e ndërmarrjeve huamarrëse deklarojnë se kanë kredi vetëm në lekë, nga 48% në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Kjo përfaqëson një rritje prej 10 pikësh përqindjeje brenda një viti.

Në të njëjtën kohë, pesha e ndërmarrjeve me kredi vetëm në euro ka zbritur në 33%, duke shënuar një rënie prej 11 pikësh përqindjeje në krahasim me një vit më parë. Ndërkohë, 9% e ndërmarrjeve deklarojnë se kanë hua të kombinuara, si në lekë ashtu edhe në valutë.

Zhvendosja drejt monedhës vendase ka vijuar edhe gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit. Krahasuar me fundin e vitit 2025, pesha e ndërmarrjeve me kredi vetëm në lekë është rritur me 4 pikë përqindjeje, ndërsa ajo e huamarrësve vetëm në euro është ulur me 2 pikë përqindjeje.

Tendenca vihet re në të gjitha kategoritë e bizneseve, por ndryshimet në strukturën e huamarrjes mbeten të konsiderueshme sipas madhësisë së ndërmarrjeve.

Peshën më të lartë të huamarrjes vetëm në lekë e kanë ndërmarrjet e mesme, ku 70% deklarojnë kredi në monedhën vendase. Te ndërmarrjet e mëdha kjo përqindje është 54%.

Nga ana tjetër, ndërmarrjet e vogla dhe ato të mëdha rezultojnë më të ekspozuara ndaj huamarrjes në euro, me nga 36% të subjekteve huamarrëse në secilin grup që deklarojnë kredi në këtë monedhë.

Banka e Shqipërisë evidenton se pesha e ndërmarrjeve me kredi në valutë ka rënë në të tria grupet, si në krahasim me gjashtëmujorin e mëparshëm, ashtu edhe në terma vjetorë. Rënia është më e theksuar te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Ndryshe nga struktura e huamarrjes, përdorimi i valutës në aktivitetin e bizneseve ka mbetur përgjithësisht i qëndrueshëm. Rreth 22% e ndërmarrjeve deklarojnë se kryejnë mbi gjysmën e veprimtarisë së tyre në valutë, një përqindje e pandryshuar në terma gjashtëmujorë dhe vetëm 1 pikë përqindjeje më e lartë krahasuar me një vit më parë.

Kjo tregon se ndryshimi në monedhën e huamarrjes ka qenë më i theksuar sesa ndryshimi në përdorimin e valutës për aktivitetin e përditshëm të ndërmarrjeve./ekofin.al