Ballina Aktualitet ‘E gjithë rinia në këmbë’, Bloomberg pasqyron protestën në Tiranë: Shtohen thirrjet...

‘E gjithë rinia në këmbë’, Bloomberg pasqyron protestën në Tiranë: Shtohen thirrjet për dorëheqjen e Ramës, përplasjet me policinë përhapen në kryeqytet

54
0

Protesta e zhvilluar më 24 tetor në Tiranë ka tërhequr vëmendjen edhe të medias së njohur amerikane “Bloomberg”. Një një artikull ajo ka shkruar për intensifikimin e thirrjeve për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe përplasjet e regjistruara mes protestuesve dhe Policisë.

Sipas Bloomberg, protestuesit kanë hedhur gurë dhe mjete të tjera në drejtim të efektivëve, ndërsa në disa zona janë regjistruar zjarre. Policia, nga ana tjetër, ka përdorur gaz lotsjellës, ujë me presion dhe plumba gome gjatë ndërhyrjeve për shpërndarjen e turmës.

Media amerikane thekson se protestat e udhëhequra nga studentët vijojnë prej rreth dy javësh në kryeqytetin shqiptar dhe janë pjesë e një lëvizjeje që nisi disa muaj më parë kundër projekteve për ndërtimin e një resorti luksoz.

Në protestën e së shtunës, pjesëmarrja u zgjerua, pasi studentëve iu bashkuan pedagogë, mësues, përfaqësues të opozitës dhe figura të tjera publike. Sipas artikullit, përplasjet më të forta u përqendruan në bulevardin kryesor të Tiranës, përpara se tensionet të përhapeshin edhe në zona të tjera të qytetit.

Bloomberg ndalet gjithashtu te djegia e koshave të mbeturinave dhe hedhja e sendeve drejt policisë, duke përshkruar përshkallëzimin e situatës gjatë protestës.

Në shkrim përmenden edhe deklaratat e kryeministrit Edi Rama, i cili para protestës tha se qeveria po përgatiste masa për t’iu përgjigjur shqetësimeve të qytetarëve lidhur me koston e jetesës, strehimin dhe mundësitë ekonomike.

Sipas medias amerikane, këto shqetësime kanë ngjashmëri me ato që kanë nxitur lëvizjet e protestës edhe në Francë, ku qytetarët kanë dalë në rrugë për çështje ekonomike dhe sociale.