Grupi indie rock i Ryan Gosling, Dead Man’s Bones, pritet të publikojë muzikë të re, 17 vjet pas albumit të vetëm të dyshes.
Muzika e re e grupit do të publikohet të martën, më 27 tetor, sipas një videoje të shpërndarë në Instagram nga bashkëshortja e Gosling, aktorja Eva Mendes.
“Ai e mbajti premtimin që më kishte dhënë“, shkroi Mendes, 52 vjeçe, krahas videos.
Dyshja, e përbërë nga Gosling, 45 vjeç, dhe muzikanti Zach Shields, publikoi albumin e saj debutues me të njëjtin emër në vitin 2009, nën etiketën Anti-Records. I përshkruar si “i frikshëm“ nga faqja muzikore Pitchfork, albumi përfshin në mënyrë të spikatur një kor fëmijësh nga Los Anxhelosi. Sipas kompanisë diskografike, albumi fillimisht ishte konceptuar si kolonë zanore për një shfaqje teatrale që tregonte një histori dashurie mes një përbindëshi dhe një fantazme.
Gosling i ka shfaqur talentet e tij muzikore në disa raste, përfshirë interpretimin e paharrueshëm të këngës „I’m Just Ken“, nga filmi „Barbie“, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Oscar në vitin 2024.
Aktori kanadez, i cili e nisi karrierën e tij në emisionin e Disney-t “The All New Mickey Mouse Club“, interpretoi gjithashtu këngën “City of Stars“ së bashku me Emma Stone në filmin muzikor “La La Land“, të vitit 2016. Kënga fitoi çmimin Oscar për këngën më të mirë origjinale në vitin 2017.







