Ballina Opinion Fundi i Vuçiç, kambana e pushtetit që bie në kurthin e vet!

Fundi i Vuçiç, kambana e pushtetit që bie në kurthin e vet!

79
0

Nga Irena Beqiraj

Është e vërtetë se liderët formësohen nga prejardhja, karakteri dhe përvojat e tyre, ashtu siç është po aq e vërtetë se kultura dhe historia formësojnë mënyrën se si kombet i pranojnë, i adhurojnë apo i rrëzojnë udhëheqësit. Por humbja e Aleksandar Vuçiçit, pas asaj të Viktor Orbánit, nxjerr në pah një paradoks të autokracive personaliste, të cilin shpesh e anashkalojmë kur analizojmë pushtetin.

Për të mbijetuar, këto regjime duhet të ruajnë ekuilibra delikatë, nga të cilët burojnë njëkohësisht fuqia dhe brishtësia e liderit.

Vuçiçi dhe Rama njihen për përqendrimin e pushtetit të jashtëzakonshëm. Por një pushtet i tillë nuk vjen falas. Fatura paguhet me ekonomi të deformuar nga klientelizmi, administratë të populluar me besnikë, institucione të nënshtruara, media të varura dhe parti ku mendimi i pavarur trajtohet si akt armiqësor.

Për të kontrolluar gjithçka, Vuçiç si Rama dobësuan gjithçka, duke e paraqitur veten si të vetmit të aftë për të drejtuar atë që vetë dobësuan.

Manuali politik i Ramës dhe Vuçiçit ka qënë i njëjtë: Kanë ecur mbi fijen e hollë të pushtetit, duke mbajtur në dorë shkopin e imazhit të liderit popullor. Vëreni me kujdes – kanë kritikuar Europën për të justifikuar vonesat në proçesin e integrimit dhe për të ngacmuar krenarinë e mbështetësve, por janë kujdesur të mos e zemërojnë aq sa t’u prishë llogaritë;

Kanë shpërnarë favore ekonomike për të siguruar mbështetje e besnikëri, por duhet të lënë mjaftueshëm ekonomi në këmbë që të kenë çfarë të shpërndajnë nesër;

Kanë diskredituar mediat duke i blerë , por jo aq sa publiku të mos u besojë më as lavdërimeve për qeverin; Kanë dobësuar kundërshtarët, por jo aq sa t’i bashkojnë të gjithë kundër tyre.

Megjithatë, instrumenti më i sofistikuar i mbijetesës së tyre mbetet kultivimi i perceptimit të popullaritetit të pakufishëm. Këtu Rama ka investuar jo pak talent artistik.E kemi parë të këndojë tallava, të kërcejë si arusha Silva, të bëjë humor, të improvizojë spektakle dhe të flasë “gju më gju” e “sy më sy” me popullin. Kuvendin,  vendi ku duhet të japë llogari e bojkoton; skena është vendi ku mund të marrë duartrokitje, edhe skena i është përshtatur gjithmonë më shumë.

Në teatrin e tij politik, rolet janë ndarë me kujdes. Sukseset kanë një autor: Kryeministrin. Dështimet kanë një ushtri fajtorësh: Ministrat, drejtorët dhe vartësit. Kur inaugurohet një rrugë, meritën e merr lideri. Kur rruga shembet, fajin e ka projektuesi. Kur ekonomia rritet, është vizioni i tij. Kur qytetari ankohet për koston e jetesës, problemi zhvendoset tek inflacioni mbarë botëror

Vartësit i përdor si amortizatorë të zemërimit publik. Herë sakrifikohen, herë zëvendësohen, herë lihen të luftojnë mes tyre. Lideri mbetet mbi rrëmujën që vetë ka krijuar.

Por kjo mjeshtëri e ka një defekt të pariparueshëm: Nuk mund të jesh pafundësisht autori i çdo suksesi dhe spektatori i pafajshëm i çdo dështimi.

Humbja e Vuçiçit është prova e më e qartë se Ekuilibristi mund ta zotërojë cirkun, të zgjedhë orkestrën, të komandojë spektatorët dhe të urdhërojë duartrokitjet. Por nuk mund ta urdhërojë fijen të mos këputet. Dhe kur fija këputet, duartrokitjet nuk e mbajnë dot në ajër.