Ballina Politika A pendohet për marrëveshjen me Ramën në 2008? Berisha: Kurrë nuk do...

A pendohet për marrëveshjen me Ramën në 2008? Berisha: Kurrë nuk do ta pranoja, por na e imponuan! Sot mbështes listat e hapura

57
0

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama, i cili sipas tij po rrit taksat me qëllim për të vjedhur paratë e taksapaguesve. Duke komentuar paketën fiskale, e cila pritet të prezantohet nesër nga qeveria, Berisha pretendoi se ndryshimet e parashikuara do të kenë pasoja negative për bizneset dhe investimet e huaja në Shqipëri.

“Ato dëmtohen shumë në të gjitha pikat. Dëmtohen në uljen e nivelit të xhiros nga 10 milionë, në 5 milionë për TVSH. Ata dëmtohen shumë në taksën e dividendit, e cila pothuajse dyfishohet. Dëmtohen në rritje e TVSH-së. Kjo është një goditje e rëndë që marrin bizneset dhe investimet e huaja. Në dhjetë vitet e fundit nuk ka asnjë investitor të huaj serioz që ka ardhur në Shqipëri“, tha ai.

Kreu i demokratëve u shpreh se opozita ndodhet në fazën përfundimtare të betejës së saj politike, të cilën e cilësoi si më të vështirën, por deklaroi se Edi Rama nuk ka të ardhme politike.

“Ne jemi në kilometrin e fundit, gjithmonë kilometri i fundit është më i vështiri, por Edi Rama nuk ka të ardhme. Kryeministri rrit taksat, sepse vjedhin të gjithë si lukuni. Si mund të bëhen ministrat kaq zengjinë me rrogë shteti“, tha ai.

Gjatë intervistës në një studio televizive kryedemokrati u pyet edhe për qëndrimin e tij ndaj listave të hapura në zgjedhje. Berisha u shpreh pro këtij sistemi, duke deklaruar se do ta mbështeste menjëherë. Berisha pretendoi se ndryshimet e mëparshme në Kodin Zgjedhor në vitin 2008 iu imponuan nga Edi Rama.

“Absolutisht po, që nesër, pa asnjë diskutim, me kënaqësi të madhe. Kurrë nuk do ta pranoja, por na e imponuan, Na e imponoi Rama me përfaqësuesit e tij, ai kishte vota, ne nuk kishim votat. Nuk kishim alternativë, ose të bojkotonim zgjedhjet, ose të pranonim Kodin.”, tha ai.