Nëntë persona kanë humbur jetën, përfshirë një grua shtatzënë, pas shpërthimit të një bombole oksigjeni në një ambulancë të parkuar pranë një qendre shëndetësore në distriktin Tharparkar, në provincën Sindh të Pakistanit. Një prej të plagosurve ndërroi jetë gjatë transportimit drejt Karaçit.
Sipas raportimeve të mediave lokale, ngjarja e rëndë ndodhi në qendrën shëndetësore Dano Dhandhal, në zonën Nagarparkar, ku ambulanca, e administruar nga Nisma e Kujdesit Shëndetësor Parësor të Popullit (PPHI), u përfshi nga flakët gjatë zëvendësimit të bombolës së oksigjenit.
Autoritetet e shpëtimit bëjnë me dije se gruaja shtatzënë ndodhej brenda ambulancës në momentin kur punonjësit po ndërhynin për të zëvendësuar bombolën. Shpërthimi shkaktoi zjarrin që u mori jetën nëntë personave.
Mes viktimave janë një shpërndarës i materialeve mjekësore i PPHI-së, drejtuesi i ambulancës, një roje sigurie dhe një tjetër punonjës. Gjithashtu, jetën e humbën gruaja shtatzënë dhe dy persona që e shoqëronin.
Nga shpërthimi mbetën të plagosur edhe disa persona, përfshirë dy mami dhe një asistente shëndetësore nga qendra bazë e kujdesit shëndetësor. Pas marrjes së ndihmës së parë, të plagosurit u transportuan drejt Karaçit për trajtim të mëtejshëm.
Autoritetet kërkojnë hetim për tragjedinë
Shefi i policisë së distriktit Tharparkar ka udhëzuar strukturat përkatëse që të garantojnë ndihmë të menjëhershme mjekësore dhe trajtim në kohë për të gjithë të plagosurit. Ndërkohë, pritet të hetohen rrethanat e shpërthimit dhe kushtet e sigurisë gjatë përdorimit të bombolave të oksigjenit.
Tragjedia ka rikthyer vëmendjen te vështirësitë me të cilat përballen banorët e kësaj zone të Sindhit, e cila karakterizohet nga thatësira e shpeshtë dhe ku shumë familje mbështeten te institucionet publike për të marrë shërbime shëndetësore.
Rasti ka shkaktuar shqetësim edhe për shkak të problemeve të mëparshme me shërbimet mjekësore në rajon. Në tetor të vitit 2019, Spitali Civil i Mithit u raportua se kishte refuzuar të vinte në dispozicion një ambulancë për transportimin e trupit të një foshnjeje, duke përmendur mungesën e fondeve për karburant.
Autoritetet pritet të zbardhin plotësisht shkaqet e shpërthimit dhe përgjegjësitë për këtë ngjarje tragjike.







