Ballina Bota Ndahet nga jeta në moshën 96-vjeçare Dolores Huerta, bashkëthemeluesja e sindikatës “United...

Ndahet nga jeta në moshën 96-vjeçare Dolores Huerta, bashkëthemeluesja e sindikatës “United Farm Workers”

45
0

Aktivistja e njohur për të drejtat civile, Dolores Huerta, dhe organizatore e lëvizjes për të drejtat e punëtorëve të bujqësisë në SHBA, ka humbur jetën në moshën 96-vjeçare. Ajo ishte bashkëthemeluese e sindikatës “United Farm ëorkers”, së bashku me Cesar Chavez, në vitet 1960.

Lajmi për vdekjen e saj u bë i ditur të mërkurën nga familja, përmes një deklarate publike.

“Jemi thellësisht të pikëlluar të njoftojmë se nëna jonë e dashur, Dolores Huerta, është ndarë nga jeta sot”, thuhet në deklaratën e familjes, e cila kërkoi gjithashtu privatësi gjatë kësaj periudhe zie.

Dolores Clara Fernandez lindi më 10 prill 1930, në Daëson, Neë Mexico, në Shtetet e Bashkuara. Pas divorcit të prindërve të saj, ajo dhe vëllezërit e motrat u rritën nga nëna, Alicia, e cila ishte sipërmarrëse dhe e përfshirë aktivisht në komunitetin bujqësor.

Huerta ia kushtoi pjesën më të madhe të jetës përmirësimit të kushteve të punës për punëtorët e bujqësisë dhe mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve të margjinalizuara. Në vitet 1960, ajo bashkëthemeloi organizatën “United Farm ëorkers” (UFë), e cila u bë një nga forcat kryesore në luftën për paga më të drejta dhe kushte më të mira pune për punëtorët bujqësorë në Shtetet e Bashkuara.

Megjithëse luajti një rol të rëndësishëm në këtë lëvizje, kontributi i saj për shumë vite u la në hije nga ai i bashkëthemeluesit Cesar Chavez, i cili u bë figura më e njohur publike e organizatës. Në fillim të këtij viti, Huerta zbuloi në një intervistë për gazetën The Neë York Times se, sipas saj, Chavez e kishte përdhunuar në vitin 1966, gjatë periudhës së bojkotit të rrushit të organizuar nga sindikata.

Ajo tregoi se Chavez e kishte çuar në një vresht të izoluar në Delano, Kaliforni, ku, sipas rrëfimit të saj, ndodhi sulmi seksual. Huerta i tha gazetës se nuk e kishte denoncuar incidentin, as një ngjarje të mëparshme në vitin 1960, kur pretendonte se Chavez e kishte detyruar të kryente marrëdhënie seksuale gjatë një udhëtimi pune.

Sipas saj, vendimi për të mos folur lidhej me qëndrimin e policisë ndaj lëvizjes së punëtorëve dhe frikën se anëtarët e sindikatës nuk do ta besonin. Këto janë pretendime të bëra nga Huerta në rrëfimin e saj për “The Neë York Times”.

Familja njoftoi se detajet për ceremonitë përkujtimore do të bëhen publike në një moment të mëvonshëm.

“E kuptoni se kjo është një periudhë jashtëzakonisht e vështirë për ne dhe kërkojmë privatësi, ndërsa vajtojmë këtë humbje të madhe për familjen tonë”, thuhet në deklaratë.

Familjarët shtuan se e dinë që shumë njerëz në mbarë botën ndajnë dhimbjen e tyre dhe se do të njoftojnë më vonë planet për të nderuar jetën dhe trashëgiminë e saj.

Dolores Huerta do të kujtohet për angazhimin e saj shumëdekadësh në mbrojtje të punëtorëve bujqësorë, përpjekjet për barazi dhe rolin e saj në lëvizjen për të drejtat civile në Shtetet e Bashkuara.