Aktivisti britanik Tommy Robinson, emri i vërtetë i të cilit është Stephen Yaxley-Lennon, është shpallur fajtor për kërcënimin e dy gazetarëve, pas një gjyqi në Gjykatën e Kurorës Southwark në Londër.
43-vjeçari u përball me dy akuza për kërcënimin që shkaktoi frikë nga dhuna ndaj gazetarit investigativ Andrew Young dhe Jacob Dirnhuber, redaktor në Daily Mail dhe MailOnline. Sipas BBC-së, vendimi u mor nga juria me 10 vota pro dhe dy kundër.
Akuzat lidhen me një seri postimesh dhe mesazhesh të publikuara në platformën X, si dhe me një telefonatë të dyshuar, gjatë periudhës 5–7 gusht 2024. Sipas aktakuzës, Robinson dyshohet se u kishte dërguar gazetarëve mesazhe kërcënuese, duke përmendur edhe mundësinë e paraqitjes në banesat e tyre.
Në disa prej mesazheve të përfshira në çështje, ai dyshohet se u kishte thënë gazetarëve se do të shkonte në shtëpitë e tyre. Robinson i kishte mohuar akuzat në një seancë gjyqësore në vitin 2025.
Robinson është një figurë e njohur e së djathtës ekstreme në Britani dhe bashkëthemelues i English Defence League (EDL), grup që kundërshton Islamin dhe emigracionin. Ai ka pasur edhe më parë përballje me drejtësinë, me dënime për vepra të ndryshme penale.







