Ballina Aktualitet ‘U bëfsh njëri prej nesh’, i verbëri mesazh për Ramën: Nuk është...

‘U bëfsh njëri prej nesh’, i verbëri mesazh për Ramën: Nuk është mallkim, por bekim

60
0

Stefan Paloka, i cili është i verbër, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e kritikuar për përdorimin e termave “qorra” dhe “të verbër” gjatë një daljeje publike, në referim të protestuesve.

Në një postim në rrjetet sociale, Paloka shpjegon edhe domethënien e shprehjes së tij “U bëfsh njëri prej nesh”, duke theksuar se nuk e konsideron mallkim, por bekim, me shpresën se përjetimi i realitetit të personave të verbër do ta ndihmonte kryeministrin të kuptonte më mirë vështirësitë dhe dinjitetin e tyre.

Postimi i plotë:

Nuk është në natyrën time të mallkoj, prandaj ju ftoj të ndiqni më poshtë interpretimin e fjalisë sime dëshirore “U bëfsh njëri prej nesh”, që gjuhësisht kualifikohet si mallkim dhe të cilën e lëshova gjatë një performance live të kryeministrit dje aty nga ora 14.00.

Gjatë kësaj performance, e cila në vetvete përfaqësonte përçartjen e radhës të Naltgjatësisë së Tij, ai po lëshonte rrufe prej Zeusi kundër “terrorit” që kishte pllakosur kryeqytetin dhe, me sa duket, për t’u shtuar rrufeve më shumë squfur dhe erë përcëlluese të diellit, si etiketa për protestuesit përdorte termat e mëposhtëm:

• turma të verbra;
• qorra;
• qorrat, i/e qorrave, prej qorrave, qorrash.
Tani, nuk është se s’njihet zelli i pashoq i kryeministrit për ta ngjyrosur ligjërimin e tij me stilema që në vetvete përbëjnë etiketime denigruese për të verbrit, por edhe për persona me lloje të tjera dëmtimesh funksionale, të tipit:
• politikisht autik;
• çyryk;
• gjytyrym,
E të ngjashme.

Ndryshimi kësaj radhe konsistonte në dendësinë e pashoqe të përdorimit të termave “qorr/i verbër”, pra në numrin jashtëzakonisht të madh të herëve në njësinë e kohës në të cilën këto fjalë u artikuluan me një mllef prej të sëmuri psikik në një stad tmerrësisht të frikshëm të gjendjes së vet klinike.

Numërova të paktën 6, por mund të kenë qenë edhe 7 a 8 herë në më pak se 5 minuta!

Më thoni, si mund të heshtet, kur dihet se së pari, kemi të bëjmë me gjuhë urrejtjeje, e cila në çdo demokraci funksionale do të përbënte shkak për ndëshkim, dhe së dyti, etiketime të tilla dëshmojnë mentalitetin otomano-komunist të një njeriu që paturpësisht gënjen, kërkon të na hedhë trutë e gomarit me paraqitjen e vet ekstravagante prej perëndimori avangardë, tek përbetohet se është njeriu i vetëm që mund ta shpjerë Shqipërinë në Bashkimin Evropian?!

Sa më sipër, më lejoni t’i shtoj arsyen pse zgjodha këtë mënyrë reagimi.

Reagimi nuk përbën mallkim, por bekim.

Po, po, bekim.

I verbuar fizikisht, kryeministri im, krejtësisht i paaftë për të bërë jetën e madhërishme që bëj unë dhe shumë të verbër të tjerë, mbase do të kuptonte më në fund brishtësinë e vet deri në mjerim, që nuk e sheh dot sot, i verbuar psikikisht nga narcizizmi i vet dhe nga etja për pushtet, pasuri dhe lavdi si pjella bastarde të këtij narcizizmi të ndërzyer me megalomaninë prej deliranti të pashërueshëm.

Dhe, për ta mbyllur, por edhe duke e lënë të hapur po deshët, po shtoj përgjigjen që Jezusi u dha farisejve që e pyetën nëse mendonte se ishin të verbër, gjatë një debati që pasoi shërimin e të verbrit që kishte lindur i verbër:

“Po të ishit të verbër, mëkat nuk do të kishit. Ju thoni se shihni, prandaj mëkati juaj mbetet.”

Reagoni, komentoni, shpërndani dhe më ndiqni! Vetëm kështu mund të përhapet ky mesazh kaq i nevojshëm në këto ditë të errëta për vendin tonë të shumëvuajtur!.