Ballina Opinion Guvernatori që bën vezë të arta

Guvernatori që bën vezë të arta

41
0

Guvernatorët e bankave qendrore në botë janë një specie paksa më e rrallë, e dallueshme prej politikanëve dhe mjaft më e ndryshme nga kokat që drejtojnë bankat apo institucionet financiare. Sepse një guvernatori i duhet të jetë njëherësh akademik, shtetar, diplomat, menaxher, vizionar, teknik dhe vendimmarrës. Madje situatat e sjellin që u duhet të marrin vendime aspak të pëlqyeshme për popullin dhe qeveritë e vendeve të tyre, sidomos në momente të menaxhimit të krizave. Këto janë arsyet që pavarësisht gjithçkaje vendet serioze mendohen mirë kur emërojnë guvernatorët e bankave qendrore dhe qëmtojnë shumë edhe në karakterin, integritetin e personalitetin e të emëruarit. Këto janë arsyet që një shtyllë e rëndësishme e bankës qendrore është pavarësia e saj. Sepse një guvernatori i nevojitet të marrë vendime afatgjata. Shumë më të gjata sesa të politikës së ditës. Sepse një guvernatori i nevojitet të tregojë dhëmbët kundër të pushtetshmëve të politikës. Janë këto rrethana që dikë që ka shërbyer si guvernator e shndërrojnë në figurë që thirret në shërbim të shtetit në momente delikate.

Kështu ndodhi me Kanadanë në kulmin e përplasjes tregtare dhe konflikteve të tjera me presidencën Trump. U thirr të shërbejë si kryetar i shtetit Mark Carney, ish-guvernatori i bankave qendrore të Mbretërisë së Bashkuar dhe të Kandasë, i sprovuar në periudhë menaxhimi krizash, orator, i ditur, i vendosur dhe diplomat. Kështu ka ndodhur në Itali, kur krizat qeveritare u zgjidhën me emërimin si kryeministër të Mario Dragit, ish-guvernatorit të Bankës Qendrore Europiane, teknicientit të ekuilibruar, dhe që njihej si drejtuesi që dinte të “gjente gjuhën” mes kundërshtimesh. Shembuj ka mjaft të tillë bota. Megjithatë, askush prej tyre nuk është mbrojtur me klauzola ligjore që parashikojnë një imunitet hermetik, si ai i miratuar në Kuvendin e Shqipërisë në datë 29 tetor.

Parashikimet për imunitetin e Guvernatorit tejkalojnë përcaktimin kushtetues dhe nuk janë praktikë e përhapur në legjislacione të vendeve demokratike. Megjithatë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bëri të pamundurën për të rreshtuar 84 vota për miratimin e tij. I miratuar në kulmin e luftës kundër korrupsionit në nivele të larta qeveritare, duket sikur akti synon krijimin e precedentëve në legjislacion të mbrojtjeve të paarsyeshme, pavarësisht se në relacione e diskutime fshihet pas termit “pavarësi e bankës qendrore”. Por këtë element, së bashku me disa nene të tjera që praktikisht kanë çekulibruar raportin e kontrollit dhe përgjegjshmërisë së bankës qendrore do e analizojmë përsëri.

Ajo që bie në sy është që në rastin e emërimit dhe mbajtjes në detyrë të guvernatorit aktual të bankës qendrore çuditërisht politika shqiptare e të gjitha krahëve ka toleruar një zinxhir shkeljesh ligjore.

Gent Sejko erdhi në krye të Bankës së Shqipërisë pas arrestimit dhe shkarkimit të ish-guvernatorit Ardian Fullani në përiudhën shtator – tetor 2014. Emërimi në mandatin e parë u shoqërua me shkelje ligjore dhe një përplasje Kryeministër – President që u shoqërua me një akt jo të pavarur të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Skema ligjore e emërimit të guvernatorit të bankës qendrore (jo sipas ligjit që sapo u miratua) parashikonte që individi propozohet për anëtar i këshillit mbikëqyrës (nga organe të ndryshme sipas ligjit) dhe e merr mandatin 7-vjeçar pasi propozimi miratohet në Kuvend.

Presidenti i Republikës propozonte guvernatorin nga anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi, propozim që miratohet përsëri në Kuvend. Sipas Kushtetuës guvernatori shërben për 7 vjet (Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës për 7 vjet – neni 161/2).

Ajo që ndodhi në realitet ishte një sjellje tipike harbute e institucioneve të shtetit në dëm të interpretimit korrekt dhe respektimit të traditës së zbatimit të skemës së zgjedhjes së Guvernatorit.

Presidenti i atëhershëm, Bujar Nishani hapi proces paralel përzgjedhjeje kandidature për guvernatorin e bankës, ndërsa qeveria dhe kuvendi kishin paraqitur propozimet e veta sipas skemës ligjore (mos e lexoni propozime cilësore). Nishani propozoi Sejkon, megjithëse ai nuk ishte as anëtar dhe as i propozuar për anëtar nga Qeveria apo Kuvendi. Nishani, dmth presidenca në atë kohë interpretoi në mënyrë të gabuar të drejtën e propozimit të Guvernatorit duke shkelur mekanizmin përzgjedhës. Kjo ishte shkelja e parë.

Për të zgjidhur ngërçin e krijuar dhe lënien e bankës qendrore pa drejtim për muaj të tërë, Këshilli Mbikëqyrës i kësaj banke në dhjetor 2014 propozon si kandidat për anëtar Këshilli z. Sejko. Ky propozim hapi rrugën e votimit të Sejkos në Kuvend si anëtar së pari (siç e kërkonte ligji) dhe pasi ishte bërë anëtar, së dyti edhe si Guvernator në bazë të propozimit të Nishanit. Kjo skemë zgjidhi ngërçin institucional dhe vërtetoi që presidenti kishte shkelur ligjin në mekanizmin përzgjedhës që përdori. Këshilli Mbikëqyrës ndërkohë dha provën e mungesës së pavarësisë, sepse iu nënshtrua në përzgjedhjen e kandidatit të vet nevojës së zgjidhjes së një ngërçi politik në mes të Presidencës (PD) dhe Qeverisë e Kuvendit (PS). Kjo ishte shkelja e dytë në favor të Sejkos.

I emëruar me propozim të Këshillit Mbikëyrës të Bankës së Shqipërisë, Sejko merrte mandatin e lënë në mes nga Ardian Civici (i cili dha dorëheqjen në shtator 2014). Mandati i Civicit i nisur në dhjetor 2011 përfundonte në dhjetor 2018. Pra, Sejkos si anëtar i Këshillit i përfundonte mandati në dhjetor 2018. Në këtë periudhë ndodhi shkelja e tretë, këtë herë nga Kuvendi i Shqipërisë. Erion Braçe (deputeti “parimor dhe luftarak” i PS-së) që mbante postin e kryetarit të Komisionit për Ekonominë dhe Financat në Kuvendin e Shqipërisë, dhe çlirim Gjata, në atë periudhë jurist që arsyetonte veprimet që bënte PD, e interpretuan në unison mandatin e Sejkos, si 7-vjeçar, meqenëse Kushtetua thoshte se Guvernatori zgjidhet për 7 vjet. Kuvendi nuk hapi proces rizgjedhjeje dhe as i kërkoi llogari Këshillit Mbikëqyrës që nuk paraqiti propoyim kandidature. Të dy, Braçe dhe Gjata, qëllimisht “harruan” mandatin e anëtarit që Sejkos i përfundonte në dhjetor 2018 e automatikisht nuk ushtronte dot më detyrën e Guvernatorit, nëse nuk rizgjidhej. Me pak zgjuarsi dhe në respekt të ligjit mund të kishin kaluar në interpretim të dy mandatava të pavarura dhe të kalonin Sejkon në propozim e miratim vetëm si anëtar Këshilli. Por jo, PS e PD gjithmonë e kanë me shumë dëshirë të bashkëpunojnë e të jenë në unison arrogant kur vjen puna për të bërë sallatë zbatimin e ligjit. Dhe e realizuan.

Që ky interpretim ishte shkelje ligjore e vërteton rizgjedhja në vitin 2022, kur Guvernatori Sejko kalon në procesin e propozimit dhe zgjedhjes dyherëshe: si anëtar e më pas si Guvernator.

Këtu ndodhin me shkelja e katërt ligjore. Këshilli Mbikëyrës e propozon si anëtar të tij në dhjetor 2021, pra tre vite më vonë nga përfundimi i mandatit. Këshilli Mbikëqyrës i dha kështu vetes të drejtën e zgjatjes së mandateve pa e pasur këtë tagër.

Mandati i dytë, në kushtet e zbatimit të drejtë të ligjit, Sejkos i ka përfunduar që në 2025. Përtej mandatit të ligjshëm, mazhoranca vendosi dje t´i ofrojë Sejkos dhe një imunitet të koracuar përballë drejtësisë. Arsyet e këtij veprimi e vendimi mund të jenë të shumta. Por ajo që kuptojmë nga seria e shkeljeve ligjore e deri në imunitetin jashtëkushtetues që i janë dhuruar Guvernatorit, na bën të mendojmë se me shumë mundësi ai është një guvernator që bën vezë të arta./VNA