Ballina Europë ​Përleshje të dhunshme në Francë, disa policë përfshihen nga flakët

​Përleshje të dhunshme në Francë, disa policë përfshihen nga flakët

49
0

Sot shpërthyen përleshje midis protestuesve dhe policisë në disa qytete franceze, gjatë demonstratave në shkallë të gjerë kundër kostos së lartë të jetesës dhe përkeqësimit të kushteve në shkolla.

Sipas Ministrisë së Brendshme të Francës, rreth 320 mijë njerëz dolën në rrugë, përfshirë 70 mijë në Paris. 296 persona u ndaluan nga policia.

Protestat filluan në mënyrë kryesisht paqësore, por në orët e vona të pasdites, shpërthyen përleshje në Paris, Lion dhe qytete të tjera. Policia përdori gaz lotsjellës, ndërsa protestuesit në disa vende hodhën objekte dhe mjete piroteknike drejt efektivëve.

Në Paris, gjatë përleshjeve, u dëgjuan shpërthime nga mjete piroteknike. Pamjet nga kanali televiziv francez BFMTV tregojnë protestues duke hedhur mjete ndezëse drejt policisë së rendit, duke bërë që disa policë të përfshihen nga flakët, raporton KosovaPress.

Tensionet u përshkallëzuan pasi marshimi i protestës arriti në fund të itinerarit të autorizuar, në skajin jugor të Parisit. Policia e rendit urdhëroi turmën të largohej nga zona, por protestuesit u shpërndanë me ngadalë.

Në Marsejë, në rrugë u vunë zjarre, ndërsa zjarrfikësit punuan për t’i shuar ato. Përleshje me policinë u raportuan gjithashtu në Ren dhe Tuluzë. Sipas një raporti nga prefektura vendore, disa protestues në Ren hodhën objekte të ndryshme drejt policëve.

Në Lion, policia përdori gjithashtu gaz lotsjellës pasi disa protestues u përleshën me forcat e sigurisë.

Autoritetet franceze kanë angazhuar rreth 70 mijë policë dhe xhandarë në të gjithë vendin për të garantuar sigurinë gjatë protestave të sotme dhe për të parandaluar dhunën.

Ministria e Brendshme kishte paralajmëruar më herët për një rrezik të shtuar dhune, veçanërisht gjatë orëve të mbrëmjes, kur priteshin tubime të tjera.

Protestat po organizohen nga sindikatat, organizatat shkollore dhe studentore, si dhe nga lëvizja e “Jelekëve të Verdhë”, e cila u shfaq në Francë në vitin 2018.

Prej javësh, të rinjtë po protestojnë për shkak të mungesës së mësuesve, stafit dhe pajisjeve në shkolla, si dhe për shkak të përkeqësimit të kushteve në arsim.