Ballina Bota Kritikoi monarkinë në Tajlandë, avokati dënohet sërish, mbi 34 vite burg në...

Kritikoi monarkinë në Tajlandë, avokati dënohet sërish, mbi 34 vite burg në total

70
0

Avokati dhe aktivisti për të drejtat e njeriut, Arnon Nampa, është dënuar me dy vjet e tetë muaj të tjerë burg në Tajlandë, për deklaratat e tij kritike ndaj monarkisë.

Vendimi i gjykatës në Bangkok e çon në mbi 34 vjet dënimin e përgjithshëm të dhënë deri tani ndaj 42-vjeçarit, i cili është përballur me 14 çështje penale për shkeljen e ligjit që ndalon fyerjen e familjes mbretërore.

Nampa u bë i njohur gjatë protestave studentore të vitit 2020, kur, i veshur si personazhi Harry Potter, kërkoi publikisht transparencë mbi pushtetin dhe pasurinë e monarkisë tajlandeze.

Ai kritikoi vendimin e mbretit Vajiralongkorn për të marrë kontrollin personal mbi pasuri të administruara më parë nga institucioni mbretëror, si dhe mbi njësi të rëndësishme ushtarake.

Deklaratat e tij u konsideruan shkelje e nenit 112 të Kodit Penal, i cili parashikon nga 3 deri në 15 vjet burg për fyerjen, shpifjen ose kërcënimin ndaj mbretit dhe anëtarëve të caktuar të familjes mbretërore.

Por organizatat për të drejtat e njeriut kritikojnë mënyrën e gjerë të interpretimit të këtij ligji, që, sipas tyre, ka kufizuar debatin publik dhe lirinë e shprehjes.

Vetëm gjatë gjashtë viteve të fundit, 294 persona, mes tyre 20 të mitur, janë ndjekur penalisht sipas këtij neni. Disa prej tyre kanë marrë dënime deri në 50 vjet burg.

Autoritetet tajlandeze e mbrojnë ligjin, duke argumentuar se monarkia është një nga shtyllat kryesore të shtetit dhe gëzon respekt të veçantë në shoqëri.

Ndërkohë, Nampa ndodhet prej tre vitesh në burgun e Bangkokut, ku shkruan letra për dy fëmijët e tij të vegjël. Takimet në gjykatë janë ndër rastet e rralla kur ai mund të shohë djalin trevjeçar.

Pavarësisht dënimeve, aktivisti vijon të mbrojë qëndrimin e tij, duke deklaruar se në një vend më të hapur këto çështje do të mund të diskutoheshin lirisht.

Dy procese të tjera ndaj tij janë ende në pritje të vendimit, ndërsa organizatat e të drejtave të njeriut paralajmërojnë se përdorimi i ligjit po pengon diskutimin publik për rolin e monarkisë në Tajlandë.