Ballina Ekonomia Shqipëria në krizë energjetike, KESH tret miliarda për të furnizuar vendin me...

Shqipëria në krizë energjetike, KESH tret miliarda për të furnizuar vendin me energji

56
0

Ndërsa vjeshta po mbyllet dhe temperaturat po ulen, tregu i energjisë elektrike në vend po përballet me një goditje dyfishe: rënien dramatike të prodhimit vendas dhe rritjen galopante të çmimeve në bursat ndërkombëtare.

Kjo situatë po imponon një faturë marramendëse që Korporata Elektroenergjetike Shqiptare po paguan për të siguruar importet.

Të dhënat zyrtare nga të gjitha procedurat e prokurimit të siguruara që nga muaji korrik e deri në nëntor 2026, tregojnë se KESH ka kontraktuar një sasi masive prej 901,626 MWh energji, duke shpenzuar një total prej 172,6 milionë Euro nga buxheti i saj.

Çmimet e blerjes së energjisë nga KESH pothuajse janë trefishuar brenda pak muajve: nëse në korrik dhe gusht KESH siguronte bazën e energjisë me rreth 125 euro për megavat-orë (MWh), në javët e para të nëntorit kontratat kanë prekur nivele rekord prej mbi 364 euro për MWh.

Një analizë teknike e Kapitalit për profilin e plotë të blerjeve të KESH-it përballë tregut spot (Day-Ahead) të bursës zbulon një asimetri të konsiderueshme financiare.

Në procedurën e fundit, KESH ka kontraktuar lote të ndryshme në profilin 24-orësh konstant (Lot 1) dhe atë të pikut 18-orësh (Lot 2). Në letër, KESH ka pranuar të paguajë çmime të ponderuara që arrijnë deri në 351.33 euro/MWh për Lotin 1 dhe 364.90 euro/MWh për Lotin 2.

Mirëpo, po të ndiqet e njëjta sasi konstante direkt në tregun spot të bursës për të njëjtat fashat orare, çmimi aritmetik në bursë rezulton shumë më i butë: 308.51 euro/MWh për fashën 24-orëshe dhe 339.34 euro/MWh për fashën e pikut.

Kjo do të thotë se KESH ka paguar mesatarisht rreth 43 euro më shumë për çdo megavat në kontratat 24-orëshe dhe 25 euro më shumë në ato të pikut.

Pyetja që ngrihet natyrshëm është: Pse tregtarët privatë ia shesin KESH-it energjinë kaq më shtrenjtë se sa vlera reale e tregut të lirë spot?

Pjesërisht kjo shpjegohet nga arsye objektive. KESH i ekzekuton pagesat ndaj shitësit brenda ose përpara ditës së 60-të nga dita e fundit e lëvrimit të energjisë.

Në një treg ku bursa operon me likuiditet të menjëhershëm dhe pagesa pothuajse në kohë reale, kushti i KESH-it për të paguar pas dy muajsh ngarkon një “premium rreziku” dhe kosto financimi të lartë brenda çmimit të ofertës.

Paralelisht, kontratat e KESH janë më afatgjata se shitjet në bursë, ku energjia tregtohet mbi bazë ditore ose një ditë në avancë. Kjo i vendos tregtarët përballë rrezikut që çmimet e energjisë të ndryshojnë.

Por veç arsyeve objektive, blerjet e energjisë me ankand janë gjithmonë të rrezikuara nga korrupsioni.

Vetëm për procedurën 5-ditore të nëntorit, ky koktejl faktorësh i ka kushtuar buxhetit të KESH saktësisht 1,218,613.20 Euro shtesë – para që mund të ishin kursyer nëse blerjet do të bëheshin me mekanizma më fleksibël dhe me likuiditet më të shpejtë tregtar.

Mbi të gjithë vëllimin prej 13 ankandeve të analizuara ku përfshihen qindra mijëra MWh, fatura e këtij premium-i rreziku merr përmasa alarmante për financat publike.

Me këtë ritëm shpenzimesh dhe me çmimet e bursës që nuk po njohin tavan në prag të dimrit, barra mbi KESH-in dhe buxhetin e shtetit rrezikon të kthehet në një gropë të madhe financiare që do të rëndojë direkt mbi xhepat e taksapaguesve shqiptarë.