Protesta dhe tensione janë regjistruar në qendër të Parisit, ku grupe studentësh kanë tentuar të organizojnë demonstrata pranë Universitetit të Sorbonës, pavarësisht ndalimit të vendosur nga autoritetet qeveritare dhe gjyqësore.
Situata është tensionuar që prej orëve të para të pasdites së sotme, ndërsa grupet e studentëve, të rrethuara nga forcat e policisë, kanë tentuar të marshojnë në zonën përreth Sorbonës.
Përfaqësuesit e studentëve pretendojnë se rreth gjysma e fakulteteve universitare në kryeqytetin francez janë përfshirë në protestë. Ndërkohë, përfaqësues të nxënësve kanë deklaruar se rreth 500 shkolla ndodhen të pushtuara nga protestuesit.
Megjithatë, shifrat e autoriteteve policore paraqesin një situatë tjetër. Sipas tyre, në protesta janë përfshirë 51 nga gjithsej 184 fakultete universitare, ndërsa numri i shkollave të pushtuara nuk i kalon 50, që përfaqëson më pak se 1.3 për qind të totalit.
Përfaqësuesit e studentëve dhe nxënësve kundërshtojnë vendimet e qeverisë, të cilat lejojnë zhvillimin e protestave vetëm në periferi të Parisit. Sipas tyre, ky kufizim përbën në praktikë një ndalim të demonstratave.
Ata kanë paralajmëruar se protestat do të vijojnë edhe të enjten e ardhshme, ndërsa një tjetër mobilizim pritet të zhvillohet të shtunën, në kuadër të lëvizjes sindikale, e cila ka shpallur protesta dhe greva.
Situata në kryeqytetin francez mbetet e tensionuar, ndërsa pritet të shihet nëse protestat do të përhapen më tej në ditët në vijim.







