Ballina Ekonomia Ekonomia shqiptare pa prodhim, e varur nga ndërtimi; Kontrasti me Maqedoninë e...

Ekonomia shqiptare pa prodhim, e varur nga ndërtimi; Kontrasti me Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë

65
0

Ekonomia shqiptare vijoi zgjerimin në vitin 2025, por struktura e kësaj rritjeje tregon varësi nga sektorë, që gjenerojnë qarkullim të lartë, pa krijuar në të njëjtën masë kapacitete të reja prodhuese.

Prodhimi i Brendshëm Bruto arriti në 26.5 trilionë lekë, ose rreth 27 miliardë euro, ndërsa ekonomia u rrit me 3.66%, ritmi më i ulët që pas periudhës së rikuperimit nga pandemia, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT-i.

Image

Burimi: INSTAT

Për të dytin vit radhazi, një pjesë e rëndësishme e rritjes erdhi nga administrata publike dhe taksat neto, të ndikuara kryesisht nga rritja e pagave në sektorin publik. Duke përjashtuar këto dy aktivitete, zgjerimi i ekonomisë private në vitin 2025 ishte vetëm 0.86%.

Në sektorët e ekonomisë reale, rritja u përqendrua në pak aktivitete. Ndërtimi kontribuoi me rreth 0.5 pikë përqindje, pasuritë e paluajtshme me 0.42 pikë përqindje, ndërsa tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimet ushqimore, me 0.47 pikë përqindje.

Në anën tjetër, industria dhe bujqësia dhanë kontribut negativ, përkatësisht -0.5 dhe -0.38 pikë përqindje.

Image

Burimi: INSTAT

Ndërtimi, pesha më e lartë në rajon dhe Europë

Ndërtimi është bërë një nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare. Rritja e investimeve në banesa, zhvillimet turistike dhe projektet infrastrukturore kanë zgjeruar aktivitetin e sektorit, por njëkohësisht kanë rritur edhe varësinë e ekonomisë nga ky aktivitet.

Në Shqipëri, ndërtimi zë 12.6% të PBB-së, niveli më i lartë jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe krahasuar me mesataren europiane.

Në vendet e tjera të rajonit, pesha e sektorit është dukshëm më e ulët: Kosova 7.8%, Maqedonia e Veriut 6.6%, Bosnjë-Hercegovina 4.8%, Serbia 4.6% dhe Mali i Zi 3.8%, ndërsa mesatarja europiane është rreth 5%.

Në tre vitet e fundit, sektori është zgjeruar më shpejt se pjesa tjetër e ekonomisë, duke rritur vlerën e shtuar nga rreth 260 miliardë lekë në vitin 2023 në rreth 290 miliardë lekë në vitin 2025, ose me rreth 11%.

Në të njëjtën periudhë, industria përpunuese ka ndjekur një drejtim të kundërt, duke zbritur nga rreth 216 miliardë lekë në vitin 2023 në rreth 214 miliardë lekë në vitin 2025, me rënie prej 1.1%.

Diferenca mes dy sektorëve tregon zhvendosjen graduale të ekonomisë shqiptare nga aktivitetet prodhuese drejt ndërtimit dhe shërbimeve.

Image

Burimi: Eurostat

Rritja e ndërtimit ka sjellë impuls të fortë ekonomik, por modeli ka kufizimet e veta. Sektori është i lidhur ngushtë me ciklin e investimeve, kërkesën për banesa dhe ecurinë e tregut të pasurive të paluajtshme.

Një element që shton shqetësimet për qëndrueshmërinë e këtij modeli është mënyra e financimit të sektorit.

Analizat e bilanceve të kompanive të ndërtimit tregojnë se zgjerimi i tyre nuk është mbështetur kryesisht te kredia bankare, por te paradhëniet e klientëve dhe detyrimet ndaj furnitorëve.

Për një kampion prej 163 shoqërish ndërtimi, të arkëtueshmet nga klientët përbënin rreth 29% të aktiveve, detyrimet ndaj furnitorëve rreth 20%, ndërsa borxhi bankar, vetëm rreth 5% të aktiveve.

Ky model financimi e bën sektorin më të varur nga vazhdimësia e shitjeve dhe ritmi i arkëtimeve. Nëse kërkesa për prona ngadalësohet ose cikli i shitjeve zgjatet, presioni mund të kalojë te likuiditeti i kompanive dhe te zinxhiri i furnitorëve.

Për këtë arsye, përqendrimi i lartë i investimeve në pasuri të paluajtshme shihet si një burim potencial cenueshmërie për ekonominë, veçanërisht në një treg ku një pjesë e financimit të projekteve kalon jashtë kanaleve tradicionale bankare, i cili po rezulton nga hetimet e SPAK-ut se ka shërbyer si një kanal për infiltrimin e parave informale në ekonomi.

Sipas Sokol Krajës, ekonomist dhe sipërmarrës, ndërtimi ka ndihmuar ekonominë, por kapitali duhet të orientohet drejt sektorëve me vlerë më të lartë të shtuar.

“Ndërtimi është një zhvillim momental. Pas përfundimit të ciklit të tij, shpresojmë që përqendrimi i kapitaleve të orientohet drejt investimeve me vlera të larta të shtuara, në industri, në startup-e elektronike, në softuerë, të cilat do të ndihmojnë ndjeshëm ekonominë shqiptare dhe punësimin”, është shprehur z. Kraja.

Image

Burimi: Eurostat

Industria humbet terren, ndërsa ekonomia largohet nga baza prodhuese

Në kontrast me ndërtimin, industria po kalon një periudhë të gjatë dobësimi. Sektori ka hyrë në një cikël rënës, ndërsa industria përpunuese ka qenë në tkurrje për nëntë tremujorë radhazi, që nga fundi i vitit 2023, periudha më e gjatë e rënies së këtij sektori pas viteve ’90.

Dobësimi i industrisë ka ulur edhe peshën e saj në strukturën ekonomike të vendit. Industria në tërësi përbën rreth 10.1% të PBB-së, ku pjesën më të madhe e zë industria përpunuese me 6.46%, energjia elektrike me 2.15%, industria nxjerrëse me 0.94% dhe furnizimi me ujë e trajtimi i mbetjeve, me rreth 0.52%.

Kjo është një peshë dukshëm më e ulët krahasuar me disa ekonomi të rajonit, ku industria përpunuese zë 14.3% të PBB-së në Maqedoninë e Veriut, 12.5% në Serbi dhe rreth 12% në Bosnjë-Hercegovinë.

Image

Burimi: Eurostat

Rënia e industrisë është më e dukshme te sektorët që për vite kanë qenë baza e eksporteve shqiptare. Tekstilet, veshjet dhe industria e këpucëve, që kanë qenë ndër punëdhënësit më të mëdhenj në sektorin privat, po përballen me një periudhë të vështirë nga rritja e kostove, mungesa e punonjësve dhe humbja graduale e avantazhit të kostos së ulët të punës.

Vetëm industria përpunuese kishte rreth 95 mijë të punësuar në vitin 2024, ose rreth 17% të punësimit të gjeneruar nga bizneset, duke qenë një nga punëdhënësit më të mëdhenj në ekonomi, sipas INSTAT-it.

Problemi i industrisë shqiptare nuk është vetëm rënia e prodhimit, por edhe modeli mbi të cilin është ndërtuar një pjesë e saj.

Një pjesë e madhe e eksporteve tradicionale mbështetet te përpunimi me material porositësi, ku kompanitë shqiptare kanë më pak hapësirë për të ndikuar në çmim dhe për të përballuar rritjen e kostove.

Rënia e euros, rritja e pagave dhe mungesa e fuqisë punëtore kanë ngushtuar më tej marzhet e këtyre bizneseve.

Florjan Zekja, nga Shoqata e Manifakturës, thekson se sfida kryesore për industrinë shqiptare, është kalimi nga një model i bazuar te puna me kosto të ulët drejt një modeli me më shumë teknologji, produktivitet dhe vlerë të shtuar.

Sipas tij, afrimi me Bashkimin Europian do të sjellë mundësi më të mëdha për tregjet, por edhe konkurrencë më të fortë për kompanitë që nuk arrijnë të rrisin eficiencën dhe standardet e prodhimit.

Dobësimi i industrisë vjen në një moment kur integrimi në tregun europian kërkon një bazë më të fortë prodhuese. Hyrja në zinxhirët e furnizimit të BE-së nuk lidhet vetëm me kostot më të ulëta, por me aftësinë për të prodhuar produkte më komplekse, për të investuar në teknologji dhe për të krijuar kapacitete afatgjata eksportuese.

Kompanitë më të mëdha, pasqyrë e modelit ekonomik

Struktura e kompanive më të mëdha sipas të ardhurave është një tjetër tregues i këtij modeli. Në krye të ekonomisë shqiptare dominojnë kompani tregtare, distributorë, tregtarë karburantesh, energjie dhe kompani ndërtimi.

Në vitin 2025, 200 kompanitë më të mëdha në vend realizuan rreth 1.47 trilionë lekë të ardhura, ose rreth 15 miliardë euro. Ecuria e tyre u ndikua kryesisht nga sektorë si tregtia e naftës, energjia dhe ndërtimi, aktivitete që varen shumë nga çmimet ndërkombëtare, importet dhe ritmi i projekteve të reja.

Por qarkullimi i lartë nuk përkthehet automatikisht në vlerë të shtuar apo punësim. Rreth 40% e kompanive më të mëdha kanë shpenzime personeli më pak se 5% të të ardhurave. Në shumë raste bëhet fjalë për kompani tregtare dhe shpërndarjeje, që qarkullojnë volume të mëdha mallrash, por kanë nevojë relativisht për pak punonjës.

Një raport i ulët i kostove të personelit do të ishte tregues pozitiv nëse do të vinte nga automatizimi apo teknologjia. Por struktura e kompanive tregon se lidhet kryesisht me natyrën e aktivitetit tregtar, ku vlera krijohet më shumë nga volumi i shitjeve sesa nga proceset prodhuese.

Të dhënat e përpunuara nga Monitor tregojnë se 48% e qarkullimit të 200 kompanive më të mëdha në vend vjen vetëm nga tregtia dhe tregtia e hidrokarbureve, ndërsa ndërtimi dhe aktivitetet e lidhura me të përbëjnë një tjetër 20%.

Përqendrimi i xhiros në këto aktivitete tregon peshën e madhe të tregtisë, shpërndarjes dhe ndërmjetësimit në mesin e kompanive më të mëdha, ndërsa industria përpunuese zë vetëm 4% të qarkullimit.

Image

Burimi: QKB, përpunime të Monitor

Mungesa e punonjësve, po kthehet në krizë të përhershme të ekonomisë

Ndryshimet demografike po kthehen në një sfidë afatgjatë ekonomike. Censi i INSTAT-it evidentoi rreth 420 mijë persona më pak krahasuar me vitin 2011, ndërsa popullsia në fillim të vitit 2026 zbriti në rreth 2.33 milionë banorë.

Mungesa e fuqisë punëtore po ndikon në zgjerimin e bizneseve. Për të plotësuar nevojat, kompanitë po rrisin punësimin e të huajve, numri i të cilëve arriti rreth 22 mijë persona në qershor 2026.

Përballë kësaj situate, bizneset shqiptare duhet të përshtaten jo vetëm duke gjetur burime të reja punonjësish, por edhe duke rritur produktivitetin dhe konkurrueshmërinë, veçanërisht në një treg ku afrimi me Bashkimin Europian kërkon përshtatje me standarde më të larta.

Kalimi drejt industrisë, teknologjisë, eksporteve dhe sektorëve me produktivitet më të lartë bëhet i domosdoshëm për të përballuar efektet e emigracionit dhe konkurrencën e tregut europian.

Tkurrja e popullsisë në moshë pune po kufizon zgjerimin e bizneseve, ndërsa integrimi në tregun e përbashkët europian do të rrisë kërkesat për standarde produkti, teknologji dhe eficiencë më të lartë.

Pa një transformim të bazës prodhuese, ekonomia rrezikon të mbetet e varur nga sektorë më ciklikë dhe me produktivitet më të ulët, duke e bërë më të vështirë rritjen e pagave, mbajtjen e fuqisë punëtore dhe konkurrimin në tregjet e BE-së.

10 kompanitë më të mëdha në Shqipëri sipas të ardhurave (pa përfshirë bankat)

10 kompanitë më të mëdha (pa përfshirë bankat) realizuan një qarkullim vjetor prej gati 4 miliardë eurosh, ose rreth 14.5% të PBB-së. Tre prej shoqërive kanë aktivitet në tregtimin me shumicë të karburanteve.

Këto shoqëri kishin rreth 13 mijë të punësuar, por rreth 60% e tyre u përkasin dy kompanive shtetërore të shpërndarjes dhe prodhimit të energjisë elektrike.

“Kastrati Energy Trade”

Kompania më e madhe e importit dhe tregtimit të naftës me shumicë, “Kastrati Energy Trade” është sipërmarrja më e madhe në Shqipëri në 2025-n për të ardhurat.

Shoqëria raportoi 916 milionë euro të ardhura në vitin 2025, me rritje 15.5% me bazë vjetore. Kompania është pjesë e “Kastrati Group”, grupi më i madh në vend, me interesa edhe në ndërtim, hoteleri, sigurime, porte, menaxhim aeroporti me koncesion (Aeroporti i Rinasit).

“OSHEE Group”

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (“OSHEE Group”), një kompani publike, ka në pronësi tri shoqëri, Furnizuesin e Shërbimit Universal, Furnizuesin e Tregut të Lirë dhe Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH).

Sipas të dhënave zyrtare të buxhetit faktik të Ministrisë së Financave, qarkullimi vjetor i të tria kompanive, duke netuar vlerat e të ardhurave nga aktiviteti i shoqërive brenda grupit, ishte 744 milionë euro në vitin 2025, me rënie prej 7.1% me bazë vjetore, duke u renditur në sipërmarrjen e dytë në vend, sipas të ardhurave dhe ndërmarrjen publike më të madhe.

“Europetrol Durrës Albania”

“Europetrol Durrës Albania”, shoqëria që tregton karburante me shumicë, është e treta më e madhe në vend, sipas të ardhurave. Kompania deklaroi rritje të fortë me 32.3%, duke qarkulluar 380 milionë euro.

“Gega Oil Group”

“Gega Oil Group” u rendit në vitin 2025, si operatori i katërt më i madh në vend dhe i treti nga shoqëritë e tregtimit me shumicë të karburanteve. Kompania ka deklaruar qarkullim vjetor rreth 338 milionë euro, me rënie prej 6.8% me bazë vjetore.

“Big Market”

“Big Market”, zinxhiri më i madh i supermarketeve në vend, renditet në vendin e pestë, sipas qarkullimit vjetor të konsoliduar për të gjithë rrjetin. Të ardhurat e kompanisë, sipas të dhënave zyrtare, ishin rreth 292 milionë euro, me rritje prej 3.3% në krahasim me vitin e kaluar.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (Sh.a. KESH)

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (Sh.a. KESH), operatori shtetëror i prodhimit të energjisë elektrike, është pozicionuar në vendin e gjashtë. Në vitin 2025, të ardhurat ishin 288 milionë euro, pothuajse në të njëjtin nivel me një vit më parë, sipas të dhënave të buxhetit faktik të Ministrisë së Financave.

“NOA Energy Trade”

“NOA Energy Trade”, me aktivitet në tregtimin e energjisë elektrike, kishte të ardhura prej 276 milionë eurosh, me rritje 3% në krahasim me një vit më parë. Tregtimi i energjisë elektrike është një aktivitet që është zhvilluar vitet e fundit në Shqipëri, pas liberalizimit gradual të tregut dhe hyrjes së kompanive private të cilat ndërmjetësojnë transaksionet e blerjes dhe shitjes së energjisë, veçanërisht për energjinë e siguruar nga importi.

“Inter Distribution Services”

“Inter Distribution Service” është distributori më i madh me shumicë i produkteve ushqimore në vend. Qarkullimi vjetor ishte 276 milionë euro, me rritje 14%, në raport me vitin e mëparshëm, duke u zgjeruar me ritme dyshifrore për të dytin vit radhazi.

“Spar Albania”

“Spar Albania” është rrjeti i dytë më i madh i supermarketeve në Shqipëri. Duke përfshirë dhe të ardhurat nga “Spar Franchise”, qarkullimi total vjetor i SPAR-it arriti në 232 milionë euro, me rritje 12.4% me bazë vjetore, sipas të dhënave zyrtare nga kompania. Ky është viti i parë që rrjeti i supermarketeve “Spar Albania” operoi një pjesë të vitit, si pjesë e shoqërisë nga Kosova “Viva Fresh”.

Në mes të vitit 2025, “Viva Fresh” e bleu zinxhirin e supermarketeve nga grupi BALFIN, për një vlerë prej 36.4 milionë eurosh, sipas transaksionit të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

“Agna”

“Agna”, shoqëria e dytë më e madhe e distribucionit në vend, kishte qarkullim vjetor prej 218 milionë eurosh, me rritje vjetore 25%, sipas të dhënave paraprake nga kompania (bilanci zyrtar nuk është publikuar ende).

Si grup, “Grupi Agna” së bashku me shoqërinë tjetër, “Alfa” është distributori më i madh në vend. Të dyja shoqëritë së bashku realizuan të ardhura prej 293 milionë eurosh, me tkurrje 5.6% në raport me vitin 2024.

Maqedonia e Veriut vs. Shqipëria, e para punësim, e dyta xhirim parash

Renditja e kompanive pasqyron në përgjithësi strukturën e ekonomisë së çdo vendi.

Në Maqedoninë e Veriut, p.sh., që ka më të zhvilluar industrinë përpunuese, tre prej kompanive më të mëdha në 10 të parat janë në industrinë automotive, duke reflektuar politikat e këtij shteti me zonat e lira ekonomike.

“Johnson Matthey” është sipërmarrja më e madhe në Maqedoninë e Veriut me 1.82 miliardë euro të ardhura, ose dyfishi i sipërmarrjes më të madhe në Shqipëri (që është tregtuese e naftës), ndonëse ekonomia e Maqedonisë së Veriut është gati 40% më e vogël. Kompania ka 835 punonjës dhe aktiviteti kryesor i saj është prodhimi i katalizatorëve për automjete dhe sistemeve të kontrollit të emetimeve.

“Kromberg & Schubert – Macedonia”, e shtata më e madhe, ka të ardhura prej 322 milionë eurosh. Kompania prodhon pajisje elektrike dhe elektronike për automjete dhe është një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend, me gati 7500 punonjës.

Për krahasim, në Shqipëri, sipërmarrja e shtatë më e madhe në vend (përjashtuar bankat) kishte të ardhura prej rreth 270 milionë eurosh dhe më pak se 10 punonjës, pasi ka aktivitet tregtimin e energjisë elektrike.

“VDL Bus – Macedonia” është sipërmarrja e dhjetë më e madhe në Maqedoninë e Veriut, me të ardhura 252 milionë euro, që ka aktivitete në prodhimin e pjesëve të automjeteve dhe është sërish pjesë e zonave të lira ekonomike.

Politika e Zonave Teknologjike Industriale të Zhvillimit (TIDZ) ka qenë një nga instrumentet kryesore të Maqedonisë së Veriut për tërheqjen e Investimeve të Huaja Direkte, veçanërisht në industrinë automotive, duke arritur të konkurrojë dukshëm dhe Shqipërinë, teksa shumë sipërmarrje të mëdha zgjodhën Maqedoninë e Veriut si destinacion, të tërhequr nga fuqia punëtore më e kualifikuar dhe lehtësitë fiskale.

Përmes lehtësive fiskale, subvencioneve për investime dhe mbështetjes për eksportuesit, këto zona kanë ndihmuar në rritjen e eksporteve, krijimin e vendeve të punës dhe integrimin e vendit në zinxhirët europianë të prodhimit.

Megjithatë, modeli ka edhe kritika. Disa ekspertë vlerësojnë se investimet në zona kanë krijuar lidhje ende të kufizuara me ekonominë vendase, pasi një pjesë e madhe e prodhimit mbështetet në importe dhe në punë me kosto më të ulët, ndërsa përfitimet në transferimin e teknologjisë dhe zhvillimin e furnitorëve vendas kanë qenë më të kufizuara.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) sugjeron që modeli i politikës së investimeve të kalojë nga një qasje e bazuar kryesisht te stimujt fiskalë për investimet e huaja të orientuara nga eksporti, drejt një përqasje që forcon konkurrueshmërinë, lidhjet me kompanitë vendase, rritjen e produktivitetit dhe integrimin më të thellë në zinxhirët europianë të vlerës.

Maqedoni e Veriut

10 kompanitë më të mëdha realizuan vitin e kaluar të ardhura totale prej 5.2 miliardë eurosh, ose 31.3% të PBB-së së vendit në vitin 2025. Këto kompani kishin së bashku rreth 20 mijë të punësuar, 42% e të cilëve janë nga 3 sipërmarrjet e shërbimeve të industrisë automotive, që operojnë në zonat teknologjike industriale të zhvillimit.

Shqipëri

10 kompanitë më të mëdha (pa përfshirë bankat) realizuan një qarkullim vjetor prej gati 4 miliardë eurosh, ose rreth 14.5% të PBB-së. Këto shoqëri kishin rreth 13 mijë të punësuar, por rreth 60% e tyre u përkasin dy kompanive shtetërore të shpërndarjes dhe prodhimit të energjisë elektrike.

Shqipëri vs. Serbi, Modeli tregtar kundrejt atij prodhues

Struktura e kompanive më të mëdha të rajonit tregon dy modele të ndryshme zhvillimi ekonomik. Ndërsa Serbia mbështetet në një bazë më të gjerë industriale dhe prodhuese, në Shqipëri bizneset më të mëdha janë përqendruar kryesisht në tregti, energjetikë dhe ndërtim.

Në Shqipëri, tregtia dominon të ardhurat e 100 kompanive më të mëdha, me 54 sipërmarrje që realizuan 6.18 miliardë euro në vitin 2025, ose 56.2% të totalit. Energjia elektrike renditet e dyta, me 10 kompani dhe 18.4% të të ardhurave. Ndërtimi dhe aktivitetet e lidhura me të, duke përfshirë edhe prodhuesit e çimentos, përfaqësohen nga 15 kompani, me rreth 999 milionë euro të ardhura, ose 9.1% të totalit.

Në kontrast, industria përpunuese, pa prodhuesit e materialeve të ndërtimit, përfaqësohet nga vetëm 7 kompani, me rreth 397 milionë euro të ardhura, ose 3.6% të totalit, sipas të dhënave të publikuara nga “Monitor”.

Dallimi me Serbinë është i dukshëm. Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Regjistrave të Biznesit (APR), industria përpunuese gjeneron 24.6% të të ardhurave të 100 kompanive më të mëdha serbe, kundrejt vetëm 3.6% në Shqipëri. Ndërsa në Serbi tregtia zë 29% të totalit, në Shqipëri pesha e saj arrin në 56.2%, duke reflektuar orientimin më të madh të biznesit shqiptar drejt tregtimit sesa prodhimit.

Diferenca është domethënëse dhe te fitimet. Fitimet në Serbi përqendrohen te industria nxjerrëse dhe përpunuese, që së bashku gjeneruan 54.3% të fitimit neto të 100 kompanive më fitimprurëse.

Ky sektor përfaqësohej nga 34 kompani, me fitime totale prej rreth 1 miliard eurosh. Përfitueshmëria e kompanive të industrisë përpunuese u krijon atyre më shumë hapësirë financiare për investime të reja, zgjerimin e kapaciteteve prodhuese dhe rritjen e produktivitetit.

Megjithatë, sektori më fitimprurës ishte industria nxjerrëse, ku vetëm 5 kompani gjeneruan 34.7% të fitimeve, ose 1.77 miliardë euro, kryesisht falë dy gjigantëve minerarë “Serbia Zijin Mining” dhe “Serbia Zijin Copper”.

Informacioni dhe komunikimi realizuan 9.9% të fitimeve, ndërtimi 9.2%, energjetika 9%, ndërsa tregtia me shumicë dhe pakicë vetëm 7.4%.

Në Shqipëri, industria përpunuese dhe ajo nxjerrëse së bashku gjenerojnë 7.7% të fitimeve të kompanive më të mëdha, kundrejt 54.3% në Serbi.

Në Shqipëri, fitimet përqendrohen kryesisht në energjetikë (34%), tregti (24.5%) dhe ndërtim e aktivitete të lidhura (18.2%), sipas të dhënave që “Monitor” ka përpunuar bazuar në tabelën e 100 kompanive më të mëdha, pa përfshirë institucionet financiare./Monitor/