Më në fund Kuvendi do të rinisë sot punën për Reformën Zgjedhore. Pas muajsh të tërë pezull, komisioni i posaçëm do të rishikojë formulën e përfaqësimit në Këshillat Bashkiakë, pas ndarjes së re territoriale. Mbledhja mbahet në orën 13:00.
Palët do të duhet të adresojnë edhe rekomandimet e OSBE/ ODIHR dhe Komisionit Evropian për një reformë të thellë zgjedhore që nuk duhet të përfshijë vetëm dy partitë e mëdha PD-PS por edhe partitë e tjera.
Propozimi i PD është për lista 100% të hapura, edhe në zgjedhjen e këshillave bashkiakë. Ndërsa socialistët ende nuk e kanë një propozim mbi sistemin zgjedhor, por kanë paralajmëruar se nëse nuk gjendet një rrugë e dakordësuar do të vijojnë të vetëm reformën.
Por, komisioni duhet të nxitojë pasi në fund të muajit i përfundon mandati dhe mazhoranca ka paralajmëruar se nuk do të ketë shtyrje.







