Pronari i One Albania, biznesmeni hungarez Gelert Zoltan Jasai është në qendër të pretendimeve për lidhje klienteliste dhe dyshime për korrupsion në Hungari, ndërsa në Shqipëri kompania e tij përballet me denoncime për mënyrën e mbledhjes së detyrimeve ndaj abonentëve.
Sipas Qendrës së Shërbimeve Ligjore Europiane, CELS, qytetarë dhe biznese po marrin njoftime për borxhe të pretenduara, të cilat thonë se nuk i njohin dhe se nuk janë shoqëruar me dokumentacion justifikues.
Në këtë proces janë angazhuar dy kompani, ODMC Albania dhe D&A Fin Partner. Ato u kërkojnë abonentëve pagesa që, në disa raste, arrijnë rreth 1 mijë lekë për çdo numër telefoni, duke i paralajmëruar se brenda 10 ditëve mund të përballen me procese gjyqësore dhe përmbarimore. ODMC Albania është regjistruar në Shqipëri në prill të vitit 2023 dhe është degë e kompanisë serbo-qipriote ODM Collections. Në dhjetor të po atij viti, kjo kompani ka arritur një marrëveshje për blerjen e portofolit të borxheve të pretenduara ndaj abonentëve të One Albania.
Ndërkohë, D&A Fin Partner, në pronësi të Dritan Abazit dhe Anis Hoxhës, është përmendur edhe në denoncime të mëparshme lidhur me mbledhjen e detyrimeve dhe çështjet e mikrokredive.
Për pyetjen “mbi çfarë baze ligjore dhe kontraktore po kërkohen këto para”, One Albania duhet të bëjë transparente origjinën, periudhën dhe mënyrën e llogaritjes së çdo detyrimi të pretenduar.







