KQZ kërkon fond shtesë për zgjedhjet e vitit 2027. Komisioneri paralajmëron rreziqe për gatishmërinë e sistemeve dhe administrimin e zgjedhjeve vendore.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i është drejtuar me një shkresë kryetarit të Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale në Kuvend, Fatmir Xhafaj, duke kërkuar ndërhyrjen për sigurimin e fondeve të pambuluara në projektbuxhetin e vitit 2027.
Letra është siguruar nga VNA.
Në shkresën e datës së sotme, 9 nëntor 2026, Celibashi bën të ditur se nga kërkesa shtesë prej 364.767.232 lekësh mbi tavanin e Programit Buxhetor Afatmesëm, në projektligjin e buxhetit janë reflektuar vetëm 99.300.000 lekë. Pjesa tjetër, 265.467.232 lekë, mbetet e pambuluar.
KQZ kërkon që këto nevoja të konsiderohen për financim, duke argumentuar se lidhen drejtpërdrejt me përgatitjen dhe administrimin e zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
“Për vitin 2027, përparësia kryesore e KQZ-së është përgatitja dhe administrimi i zgjedhjeve vendore”, thuhet në shkresën drejtuar Xhafajt.
Fondet e munguara, rrezik për sistemet zgjedhore
Një pjesë e konsiderueshme e kërkesës së pambuluar lidhet me infrastrukturën teknologjike, mirëmbajtjen e sistemeve dhe rinovimin e licencave.
KQZ kërkon 51.7 milionë lekë shtesë për këto nevoja, duke paralajmëruar se mungesa e financimit mund të sjellë pasoja për funksionimin e sistemeve zgjedhore.
“Mungesa e financimit mund të shtyjë mirëmbajtjen dhe testimin e sistemeve, duke rritur rrezikun e ndërprerjeve të shërbimeve dhe të cenimit të sigurisë”, paralajmëron Celibashi.
Një tjetër problem financiar lidhet me administrimin dhe ruajtjen e materialeve zgjedhore. KQZ evidenton 33.767.232 lekë të pambuluara për qiranë e magazinave në Vaqarr, si dhe 180 milionë lekë diferencë për projektin e magazinës dhe shërbimin e supervizimit.
Sipas institucionit, mosmbulimi i këtyre nevojave mund të kufizojë kapacitetet magazinuese dhe gatishmërinë logjistike për procesin zgjedhor të vitit të ardhshëm.
Platforma e financimit të partive ende jofunksionale
Në shkresën drejtuar Xhafajt, Celibashi evidenton edhe vonesat në përmirësimin e Platformës Elektronike të Raportimit Financiar (PERF), e cila synon të garantojë raportim më transparent dhe të verifikueshëm të financave politike.
KQZ pranon se platforma ende nuk është funksionale për paraqitjen e raporteve financiare.
Për këtë projekt kërkohen rreth 20 milionë lekë, ndërsa institucioni është në pritje të konfirmimit të financimit nga Zyra e Këshillit të Evropës në Tiranë.
“Do të vlerësonim që në rast pamundësie financimi nga donatori, kjo kërkesë shtesë e pambuluar të konsiderohej për mbulim me fonde buxhetore”, shkruan Celibashi.
KQZ argumenton se pa mbështetjen financiare, vënia në përdorim e përmirësimeve të platformës mund të vonohet.
Zgjedhjet e 2027-ës dhe rekomandimet ndërkombëtare
Në shkresë, Celibashi rendit gjithashtu masat që KQZ synon të ndërmarrë përpara zgjedhjeve vendore, përfshirë trajnimin e administratës zgjedhore, informimin e votuesve dhe përmirësimin e aksesueshmërisë së qendrave të votimit.
Institucioni thekson se do të vijojë ndjekjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias, si dhe përgatitjen e analizave dhe propozimeve teknike për reformën zgjedhore.
Megjithatë, disa prej masave të parashikuara mbeten ende në proces. KQZ pranon se programi i standardizuar për informimin dhe edukimin e zgjedhësve është në hartim, ndërsa fushatat informuese dhe matja e nivelit të njohurive të votuesve nuk kanë nisur.
Në përfundim, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve kërkon që nevojat financiare të institucionit të adresohen përmes fondeve që do të alokohen për zgjedhjet e vitit 2027, duke vënë në dukje se administrimi i sigurt dhe transparent i procesit zgjedhor varet edhe nga mbështetja financiare e nevojshme.











