Kur Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, kontingjenti ushtarak i përfshirë në fillim përbëhej nga 190 mijë trupa. Gati pesë vjet më vonë, ushtria e Moskës ka regjistruar më shumë se dyfishin e numrit të të vdekurve krahasuar me numrin fillestar të ushtarëve, të cilët supozohej ta fitonin luftën brenda pak ditësh.
Por ekziston edhe një tjetër shifër që nxjerr edhe më shumë në pah se deri në çfarë mase aventura ushtarake kundër Kievit përbën një dështim kolosal të Vladimir Putinit. Në vitin 2022, Rusia kishte gjithsej rreth 900 mijë ushtarakë. Pesë vjet më vonë, ukrainasit, duke u mbrojtur, kanë vrarë, plagosur ose kapur me shumë gjasë një numër rusësh që është më shumë se dyfishi i efektivëve të asaj që, vetëm pesë vjet më parë, konsiderohej një nga ushtritë më të mëdha dhe më të frikshme në botë.
Rezistenca e Kievit e ka asgjësuar më shumë se dy herë ushtrinë fillestare ruse. Ndërkohë, përparimi i trupave të Moskës ka hyrë në një ngërç gjithnjë e më të dukshëm. Sipas Institutit për Studimin e Luftës (Institute for the Study of Ëar), këtë vit ushtria ruse ka përparuar në zonat më strategjike të Donbasit me vetëm 250 metra katrorë në ditë. Në vitin 2025, në të gjithë territorin e Ukrainës, përparimi kishte qenë mbi 13 kilometra në ditë.
Nëse ky është realiteti, dhe është i tillë, rrjedhja e informacionit për 400 mijë ushtarë rusë të vrarë në luftë deri në muajin gusht përbën shumë më tepër sesa një shqetësim kalimtar për Vladimir Putinin. Ajo është pasqyra e dështimit të tij për të mbrojtur qytetarët rusë dhe e natyrës iluzore të strategjisë së tij për pushtimin e territoreve ukrainase.







