Një aksident masiv me pasoja tragjike është regjistruar mëngjesin e së martës në një autostradë në juglindje të Bullgarisë, ku rreth 50 automjete janë përfshirë në një përplasje zinxhir për shkak të mjegullës së dendur.
Në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie, zjarrfikësish dhe ekipe mjekësore, të cilat nisën menjëherë operacionet për nxjerrjen e personave të bllokuar dhe transportimin e të plagosurve në spitale.
Pamjet e publikuara nga mediat lokale tregojnë përmasat e katastrofës, me makina dhe kamionë të shkatërruar, automjete të përmbysura dhe të tjera të dala jashtë rruge. Sipas autoriteteve, disa persona kanë mbetur të bllokuar brenda automjeteve të dëmtuara, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë.
Për momentin, përparësi u është dhënë shpëtimit të të mbijetuarve dhe nxjerrjes së viktimave. Pas përfundimit të operacionit, pritet të nisë hetimi për të përcaktuar shkaqet e sakta të aksidentit. Mjegulla e dendur dyshohet se ka qenë një faktor vendimtar në këtë përplasje masive.







