Ballina Dossier “Një muaj në birucë, të lidhur me hekura”/ Letra për Hysni Kapon...

“Një muaj në birucë, të lidhur me hekura”/ Letra për Hysni Kapon që zbulon torturat dhe abuzimet në burgjet e komunizmit

125
0

Një muaj në birucë, të lidhur me hekura, takime me familjarët që zgjasnin vetëm pak minuta dhe të burgosur që përdoreshin për punët private të komandantëve. Kjo ishte jeta në kampin-burg 309 të Skrofotinës në Vlorë, siç përshkruhet në një letër të 17 korrikut 1967, që i burgosuri Ramadan Muço ia dërgonte Hysni Kapos, një prej njerëzve më të fuqishëm të regjimit komunist.

Në katër faqet e shkruara me dorë, që mbajnë vulën e sekretarisë së Komitetit Qendror të Partisë së Punës, Muço denonconte ndëshkimet arbitrare, kushtet e rënda dhe abuzimet e drejtuesve të kampit.

Ai shkruante se ishte lidhur me hekura dhe dënuar me një muaj birucë, ndërsa i ishte mohuar edhe e drejta për të marrë ushqime nga familja.

Në letër përshkruhen edhe takimet me familjarët, të cilët udhëtonin nga qytete të largëta dhe prisnin me orë të tëra në shi e diell, vetëm për të parë për pak minuta njerëzit e tyre.

Një tjetër denoncim lidhej me shfrytëzimin e punës së të burgosurve për interesa personale të drejtuesve të kampit, përfshirë ndërtime dhe punime private.

Por ajo që del nga letra është edhe frika për të denoncuar. Muço shkruante se shumë të burgosur heshtnin, pasi çdo ankesë mund t’u kushtonte ndëshkime të tjera.

Dokumenti përfundon me shpresën e të burgosurit se Partia do të ndërhynte për të ndalur abuzimet. Në katër faqet e letrës nuk gjendet asnjë përgjigje e Hysni Kapos dhe as ndonjë e dhënë nëse denoncimet u shqyrtuan ndonjëherë./vna