Sipas projeksioneve demografike të publikuara nga Eurostat dhe të dhënave të analizuara për kontinentin evropian, vendi ynë renditet i dyti në Evropë për rënien më të madhe të popullsisë deri në vitin 2100.
Projeksionet tregojnë se Shqipëria pritet të humbasë rreth 57% të popullsisë së saj deri në fund të këtij shekulli, duke u renditur menjëherë pas Ukrainës.
Sipas të dhënave, numri i banorëve në vendin tonë pritet të zbresë në rreth 1.18 milionë banorë në vitin 2100, një shifër që konfirmon trendin alarmant të shpopullimit.
Kjo rënie e fortë nuk është një fenomen i izoluar në rajon, pasi të dhënat tregojnë se edhe vendet fqinje do të pësojnë tkurrje të ndjeshme.
Pas Shqipërisë, në listën e vendeve me humbjen më të madhe të popullsisë renditen Bosnjë-Hercegovina me një rënie të parashikuar prej 56%,
Maqedonia e Veriut me 52% dhe Bjellorusia me 51%.
Ekspertët e demografisë dhe të dhënat statistikore tregojnë se ky skenar pesimist vjen si pasojë e kombinimit të tre faktorëve kryesorë: rënies së vazhdueshme të numrit të lindjeve, plakjes së shpejtë të popullsisë dhe valës së lartë të emigracionit, kryesisht të të rinjve dhe familjeve të reja që largohen nga vendi.








