Ballina Aktualitet Dhjetra kantiere, dy kompani, zero konkurrencë/ Si i masakroi Emiriana Sako fondet...

Dhjetra kantiere, dy kompani, zero konkurrencë/ Si i masakroi Emiriana Sako fondet e rindërtimit në Durrës

54
0

Në qytetin bregdetar të Durrësit, tërmeti shkatërrimtar i nëntorit 2019 vazhdon të prodhojë lëkundje të forta — jo më në pllakat tektonike, por në arkën e financave publike.

Një raport përfundimtar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, mbi veprimtarinë e Bashkisë Durrës për periudhën 2023–2024, ofron një pasqyrë kirurgjikale se si fondet e emergjencës dhe rindërtimit janë menaxhuar përmes një mekanizmi që garanton çmime tavan dhe zero garë reale.

Në qendër të analizës së audituesve shtetërorë qëndrojnë dy procedura të kufizuara prokurimi të zhvilluara në korrik të vitit 2024 për përforcimin e pallateve të dëmtuara. Me një fond limit të përbashkët prej 447.7 milionë lekësh (rreth 4.5 milionë euro), të dyja kontratat u fituan në të njëjtën ditë — më 28 gusht 2024 — nga i njëjti bashkim operatorësh: Rajli Ndërtim dhe G.P.G. Company.

Shifrat flasin për një saktësi matematikore që sfidon çdo ligj të tregut. Për pallatin “Big Kristi”, oferta fituese ishte 156 milionë lekë përballë fondit limit prej 156.3 milionë lekësh (99.76% e vlerës). Për pallatet në rrugën Pelikan, oferta ishte 290.57 milionë lekë përballë fondit prej 291.31 milionë lekësh (99.75%). Në total, buxheti publik kurseu më pak se 0.25% nga gara.

Dhjetra kantiere, dy kompani, zero konkurrencë/ Si i masakroi Emiriana Sako

Sipas KLSH-së, kjo mungesë ekonomiciteti nuk ishte rastësi, por rezultat i një procesi vlerësimi të deformuar në të gjitha hallkat e tij.

Së pari, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave i përbërë nga të njëjtët tre zyrtarë në të dyja procedurat, veproi si një filtër eliminues. Në tenderin e rrugës Pelikan, katër nga gjashtë ofertuesit u skualifikuan në fazën e parë. Audituesit verifikuan se të paktën tre prej tyre i plotësonin plotësisht kriteret e dokumenteve të tenderit dhe ishin skualifikuar me argumente të pabazuara ose duke ngatërruar targat e mjeteve.

Së dyti, ndërsa konkurrentët e vërtetë u nxorën jashtë loje, fituesit iu falën shkelje themelore. Në kontratën e bashkëpunimit të korrikut 2024, kompania Rajli Ndërtim nuk kishte deklaruar fare mjetet bazë të nevojshme për kantierin (fadromë, autobetonierë dhe 1,000 metra katrorë skeleri), ndërsa partnerja G.P.G. Company nuk kishte dorëzuar fotografitë provuese të makinerive.

Për më tepër, duke qenë se të dyja procedurat u hapën në të njëjtën ditë (18 korrik 2024) dhe u kontraktuan po në të njëjtën ditë me afat identik prej 224 ditësh, bashkimi i operatorëve përdori të njëjtat mjete, të njëjtin staf dhe të njëjtin drejtues teknik për dy kantiere të ndryshme njëkohësisht — një dublim kapacitetesh që, sipas auditimit, e detyronte komisionin ta skualifikonte operatorin në të paktën njërën prej garave.

Së treti, nxitimi për të lidhur kontratat anashkaloi edhe sigurinë ligjore e teknike të ndërtimit. Për pallatin “Big Kristi”, Bashkia Durrës lidhi kontratën dhe lejoi nisjen e punimeve pa pasur një leje ndërtimi në dosje dhe pa kryer oponencën teknike të projektit, duke shkelur dy ligje bazë të planifikimit të territorit dhe disiplinimit të ndërtimeve.

Anatomia e vjedhjes së tragjedisë
Për të kuptuar se si funksionon kjo skemë përtej faqeve teknike të një raporti auditimi, mjafton të shihet tabloja e plotë e prokurimeve në Durrës gjatë pesë viteve të fundit.

Në shumicën dërrmuese të tenderace, pas skualifikimeve të fazës së parë, në finale mbetën vetëm dy lojtarë: bashkimi Rajli Ndërtim – G.P.G. Company dhe kompania Inerti. Në tenderat për pallatin “Big Kristi” dhe rrugën Pelikan, Inerti dorëzoi oferta që tejkalonin fondin limit dhe nuk paraqiti sigurimin e ofertës — një vetë-eliminim formal që i hapi rrugën fitores së Rajlit dhe G.P.G.-së.

Në këmbim, në tenderin e tretë të së njëjtës paketë — atë për riaftësimin e pallatit “Rajfi” në rrugën Iljaz Reka me vlerë 1.2 milionë euro — Rajli dhe G.P.G. nuk morën pjesë fare, duke e lënë Inertin të fitojë e vetme me një ofertë 140 euro nën fondin limit.

Ky nuk ishte një episod i izoluar. Kompania Rajli Ndërtim, e themeluar dhe e zotëruar nga Enkeleda Gojashi (e njohur në nivel lokal për angazhimin e saj politik në strukturat zgjedhore të Partisë Socialiste) dhe Lediana Mata, është shndërruar në shembullin klasik të një biznesi të varur ekskluzivisht nga një autoritet i vetëm publik.

Që nga viti 2019 deri në vitin 2026, kjo kompani ka arkëtuar mbi 30 milionë euro nga fondet publike, ku pothuajse 100% e të ardhurave burojnë nga kontratat me Bashkinë e Durrësit, të drejtuar nga Emiriana Sako.

Edhe më herët, në një auditim të vitit 2022 për një tender prej 2.1 milionë eurosh në zonën e Rrashbullit, KLSH-ja kishte zbuluar të njëjtën formulë: Rajli Ndërtim dhe G.P.G. Company kishin lidhur një marrëveshje fiktive ku G.P.G. merrte përsipër 82.7% të punimeve për të mbuluar mungesën e punonjësve dhe pajisjeve të Rajlit, por në fund 100% e pagesave nga thesari i shtetit kaluan në llogarinë e Rajli Ndërtim.

Megjithatë, paralajmërimet e audituesve mbetën në letër. Në dhjetor 2024, kompania fitoi një tjetër tender të mbyllur në rrugën Taulantia me 99.9% të fondit limit. Në pranverën e vitit 2025, skema u ekspozua sërish në tenderin 1.7 milionë euro për pallatin “Viko”, ku bashkia skualifikoi 5 nga 6 konkurrentët dhe refuzoi të zbatonte vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik (KPP) për rivlerësim, duke e detyruar KPP-në të pezullonte garën. Dhe në mars 2026, firma e kryetares Sako vulosi kontratën e radhës për Rajli Ndërtim në Sukth dhe Rrashbull, sërish pa pasur çmimin më të ulët.

Ironia e këtij modeli ekonomik pasqyrohet në bilancet zyrtare të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit: ndonëse ka qarkulluar dhjetëra miliona euro fonde publike, Rajli Ndërtim ka raportuar fitime neto modeste (rreth 30 milionë lekë në vitin 2023 dhe 32.9 milionë lekë në vitin 2024), duke ngritur dyshime të forta mbi fryrjen e kostove apo shpërndarjen e fondeve te nënkontraktorët.

Rasti i Durrësit ilustron një defekt strukturor të prokurimeve emergjente në Shqipëri. Kur procedurat e kufizuara përdoren pesë apo shtatë vjet pas një fatkeqësie natyrore, kur institucionet e kontrollit mjaftohen me rekomandime administrative që injorohen nga titullarët vendorë dhe kur ankimimet mungojnë për shkak të një tregu të ndarë paraprakisht, rindërtimi pushon së qeni një mision publik — dhe kthehet në një rentë të sigurt private./Kapital