Televizioni parlamentar i Niko Peleshit ka nisur sot publikimet dhe produkti i parë ngjan më shumë me një edicion lajmesh të televizionit shtetëror të viteve ’80 sesa me një media moderne, për të cilën Kuvendi ka parashikuar një investim fillestar prej rreth 500 mijë eurosh.
Një spikere që prezanton lajmet, deklaratat e ministrave dhe deputetëve socialistë në komisionet parlamentare, si dhe raportimet e drejtuesve të institucioneve shtetërore. Kaq është ajo që ofron deri tani televizioni i ri, sipas përmbajtjes së publikuar në ditën e parë.
Por për këtë projekt, të cilin VNA e denoncoi që në janar, janë parashikuar rreth 500 mijë euro. Në dokumentet e Kuvendit flitet për një Media Hub me studio moderne, redaksi televizive, kronika, intervista, analiza dhe shërbime të integruara të inteligjencës artificiale.
Në gusht, VNA zbuloi se në regjistrin e prokurimeve ishte parashikuar edhe një fond prej rreth 418 mijë eurosh për Media Hub-in. Kjo shumë nuk i shtohet automatikisht investimit fillestar, pasi i referohet të njëjtit projekt. Ajo që mbetet për t’u sqaruar është sa është kontraktuar dhe paguar realisht.
Ndërkohë, Shqipëria ka prej vitesh RTSH Kuvend, kanalin e televizionit publik që transmeton seancat plenare dhe punimet e komisioneve parlamentare. Vetë Kuvendi i publikon aktivitetet e tij edhe në platformat online.
Atëherë, për çfarë duhej një tjetër strukturë mediatike me një investim të parashikuar prej gjysmë milioni eurosh?
Për të transmetuar çfarë thonë ministrat? Për të përmbledhur fjalimet e deputetëve socialistë? Apo për t’u dhënë më shumë hapësirë televizive drejtuesve të institucioneve që raportojnë në Kuvend?
Përmbajtja e ditës së parë nuk mjafton për të vlerësuar gjithë projektin, por është e mjaftueshme për t’i kërkuar Niko Peleshit një shpjegim: çfarë u ofrohet qytetarëve që nuk e kishin më parë dhe sa u ka kushtuar realisht kjo strukturë?
Sepse, për të vendosur një spikere përpara kamerës që të lexojë çfarë thanë socialistët në komisione, nuk është e qartë pse duhej planifikuar një investim prej 500 mijë eurosh.







