Ballina Bota Alarm në SHBA, dyshime mbi një plan iranian për sulm me bombë...

Alarm në SHBA, dyshime mbi një plan iranian për sulm me bombë radiologjike në Uashington, në shënjestër zyrtarë të administratës Trump

52
0

Shërbimet amerikane të sigurisë kanë ngritur alarmin pas informacioneve për një plan të mundshëm iranian për sulme në territorin e Shteteve të Bashkuara, ku mund të përdoren një bombë radiologjike ose armë kimike. Sipas informacioneve të raportuara, objektiva të mundshëm mund të jenë edhe zyrtarë të lartë të administratës së presidentit Donald Trump.

Sipas një raportimi ekskluziv të CNN, që citon shtatë zyrtarë amerikanë të njohur me informacionet e inteligjencës, agjencitë amerikane kanë identifikuar sinjale se Teherani po shqyrton skenarë të mundshëm për sulme në territorin amerikan.

Dy prej burimeve kanë bërë të ditur se informacionet përfshijnë edhe vende konkrete dhe objektiva të mundshëm në kryeqytetin amerikan, Uashington. Këto të dhëna kanë nxitur autoritetet të shqyrtojnë dhe të përforcojnë masat e sigurisë.

Megjithatë, zyrtarët amerikanë theksojnë se deri më tani nuk ka indikacione për një sulm të afërt. Sipas tyre, Irani mund të jetë duke shqyrtuar skenarë alternativë, por kjo nuk do të thotë se është marrë një vendim për t’i vënë në zbatim. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse Teherani ka kapacitetet e nevojshme operacionale për të realizuar një sulm të tillë.

Shqetësim të veçantë kanë shkaktuar disa komunikime që dyshohet se kanë origjinë iraniane, në të cilat përmenden materiale të mundshme për prodhimin e bombave, të cilat pretendohet se ndodhen tashmë në Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, edhe brenda strukturave amerikane të sigurisë ekzistojnë dyshime për besueshmërinë e këtij informacioni. Deri më tani nuk është konfirmuar ekzistenca e materialeve të përmendura dhe as nuk janë identifikuar përgatitje konkrete për një sulm.

Çfarë është “bomba e ndyrë”?

Bomba e ndyrë, e njohur ndryshe si pajisje radiologjike shpërndarëse, nuk është armë bërthamore. Ajo përbëhet nga një pajisje shpërthyese konvencionale, e cila përdoret për të shpërndarë materiale radioaktive në mjedis.

Ndryshe nga një bombë atomike, ajo nuk shkakton shpërthim bërthamor, por mund të kontaminojë një zonë të caktuar dhe të ekspozojë njerëzit ndaj rrezatimit, duke krijuar rreziqe serioze për shëndetin publik dhe vështirësi në pastrimin e zonës së prekur.

Sipas CNN, informacionet e reja kanë nxitur një seri takimesh mes zyrtarëve të sigurisë kombëtare amerikane gjatë javës së fundit, me qëllim vlerësimin e nivelit të kërcënimit dhe përcaktimin e kundërmasave të mundshme.

Në klimën e tensionuar të sigurisë është shtuar edhe zhvendosja e sekretarit amerikan të Thesarit, Scott Bessent, në një bazë ushtarake, pas kërcënimeve që dyshohet se i atribuohen Iranit.

Zhvillimet vijnë në një moment tensionesh të larta mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa autoritetet amerikane po përpiqen të vlerësojnë nëse informacionet e inteligjencës përfaqësojnë një kërcënim konkret apo skenarë të mundshëm që ende nuk kanë kaluar në fazën e përgatitjes operative.