Ballina Politika Debate te “Ekonomia” për protestën/ Braçe: Masa ndaj dhunuesve! Cara: S’merrni masa...

Debate te “Ekonomia” për protestën/ Braçe: Masa ndaj dhunuesve! Cara: S’merrni masa për vjedhjen mld euro e flisni për revoltën!

27
0

Përplasjet e protestave në Tiranë kanë shkaktuar debate të forta edhe në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, ku Erion Braçe, Igli Cara dhe Milva Ekonomi kanë shkëmbyer akuza lidhur me dëmet e shkaktuara në biznese dhe infrastrukturën publike, por edhe trajtimin e protestuesve të lënduar nga ndërhyrja e policisë.

Deputeti socialist Erion Braçe u shpreh se protesta është një e drejtë e garantuar, por sipas tij, ajo nuk mund të shndërrohet në dhunë ndaj bizneseve dhe pronës publike e private. Ai kërkoi evidentimin dhe ndëshkimin e personave që kanë shkaktuar dëme, duke theksuar se përgjegjësia nuk mund t’u faturohet institucioneve apo bizneseve.

Braçe u ndal edhe te dëmtimi i infrastrukturës në kryeqytet, duke përmendur semaforët e dëmtuar dhe nevojën për ndërhyrje të menjëhershme në pastrimin dhe rikuperimin e qytetit, ndërsa kërkoi gjithashtu që personat përgjegjës për dëmet të identifikohen dhe të mbajnë përgjegjësi ligjore, duke ngritur edhe çështjen e përdorimit të fondit rezervë për rikuperimin e dëmeve.

 

Por deputeti demokrat Igli Cara e kundërshtoi qëndrimin e Braçes, duke e akuzuar mazhorancën për standarde të dyfishta. Ai kërkoi dëmshpërblim jo vetëm për bizneset e dëmtuara, por edhe për qytetarët që, sipas tij, janë lënduar nga ndërhyrja e policisë gjatë protestave. Demokrati kritikoi gjithashtu qeverinë për vonesat në procesin e rindërtimit dhe bonusin e qirasë, ndërsa iu referua edhe shpopullimit të vendit, duke kërkuar që diskutimi të mos kufizohet vetëm te dëmet materiale të shkaktuara gjatë protestave.

 

Pjesë nga diskutimi:
Igli Cara: Të dëmshpërblehen bizneset por edhe të dëmtuarit nga represioni i qeverisë. Pse me dy standarde zoti Braçe.
Akoma nuk keni mbyllur bonusin e qerasë dhe Rindërtimin, keni gojë edhe të flisni. Sot shqiptarët po largohen dhe sipas INSTAT ka pakësim të frikshëm të qytetarëve.
Referoju fakteve para e të bësh politikë. Mos shihni shkakun por pasojën që është protesta. Nuk merrni masa për vjedhjen miliarda euro në buxhet dhe flisni për protesta. Po dëmin shëndetësor të protestuesve, për këmbët e thyera, për syrin e Erjon Vishkullit do të ketë akte normative për këto?

Erion Braçe: Protesta e drejtë e garantuar. Nuk mendoj që protesta është dhunë aq më tepër ndaj bizneseve dhe infrastrukturës publike, private dhe shtetërore. Një muaj rrugët e Tiranës janë pa semaforë. Nuk mund të paguajë Bashkia për çdo gjë, as ajo kompania në këtë rast. Pastrimi në qytet është jetik, nuk mund të presim përjetësisht për rikuperimin e infrastrukturës. Siç përdorni fondin rezervë në raste të tjera, duhet përdorur edhe në këtë rast. A janë evidentuar ata që kanë shkaktuar dëme? Duhen futur në hullinë e ligjit dhunuesit. Kanë mbajtur përgjegjësi protestuesit por nuk kanë mbajtur nga ana e shtetit, qesh zotëria se e ka engledisje pasditen, por në bulevard janë vrarë njerëz me urdhër dhe nuk mban njeri përgjegjësi, sepse dhuna ngatërrohet me protestën.