Ballina Aktualitet Dita e 172-të e protestës/ Tensione para Kryeministrisë, policia ndërhyn dhe shtyn...

Dita e 172-të e protestës/ Tensione para Kryeministrisë, policia ndërhyn dhe shtyn me forcë qytetarët që refuzojnë të largohen nga bulevardi

42
0

Tensionet dhe përplasjet mes qytetarëve dhe forcave të policisë janë rikthyer edhe në ditën e 172-të të protestës kundër kryeministrit Edi Rama. Pas një marshimi në disa prej institucioneve kryesore të vendit, protestuesit janë përballur me ndërhyrjen e efektivëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku policia ka tentuar t’i largojë nga rruga dhe t’i zhvendosë në trotuarin përballë Kryeministrisë.

Në vijën e parë të përplasjes kanë qenë vajzat pjesëmarrëse në protestë, të cilat kanë kundërshtuar kërkesën e policisë për t’u larguar nga bulevardi. Efektivët kanë ndërhyrë fizikisht, duke i shtyrë për t’i zhvendosur drejt trotuarit, çka ka shkaktuar momente tensioni dhe përplasje mes palëve.

Pavarësisht kundërshtimit të protestuesve, forcat e rendit kanë vijuar përpjekjet për të liruar rrugën, ndërsa qytetarët kanë këmbëngulur në të drejtën e tyre për të protestuar përpara godinës së qeverisë.

Situata është shoqëruar me thirrje kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij, ndërsa pjesëmarrësit kanë kundërshtuar mënyrën se si policia po ndërhyn për t’i larguar nga hapësira ku zhvillohet protesta.

Protesta e sotme ka nisur përpara Ministrisë së Arsimit, ku qytetarët janë mbledhur për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe politikave të saj.

Pas qëndrimit përpara institucionit, protestuesit kanë nisur marshimin drejt Kuvendit të Shqipërisë, ku gjatë ditës deputetët kanë qenë të angazhuar në diskutimet për projektbuxhetin e vitit 2027.

Me thirrje kundër qeverisë dhe kërkesa për largimin e kryeministrit, qytetarët janë zhvendosur drejt Parlamentit, duke vijuar protestën në një moment kur brenda institucionit diskutohej shpërndarja e fondeve publike për vitin e ardhshëm.

Gjatë qëndrimit përpara Kuvendit, protestuesit kanë lëshuar thirrje si “Arrestoni Ramën”, “Arrestoni Ballukun” dhe “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj drejtuesve të qeverisë.

Pas protestës përpara Parlamentit, qytetarët kanë vijuar marshimin drejt Kryeministrisë, ku janë regjistruar edhe momentet e tensionit me forcat e policisë.