Ballina Aktualitet Avokati i Veliajt: Mjekët konfirmojnë nevojën për operacion, ndërhyrja është vonuar dy...

Avokati i Veliajt: Mjekët konfirmojnë nevojën për operacion, ndërhyrja është vonuar dy javë

25
0

Plarent Ndreca, avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ka ngritur shqetësimin për vonesën e ndërhyrjes kirurgjikale në këmbën e klientit të tij, e rekomanduar rreth dy javë më parë nga një mjek turk.

Përmes një reagimi publik, Ndreca bën të ditur se këtë të mërkurë, një grup mjekësh nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Spitali Memorial kanë ekzaminuar Veliajn, duke konfirmuar, sipas tij, nevojën për operacion.

Avokati pretendon se gjatë kësaj periudhe kryebashkiaku nuk i është nënshtruar asnjë trajtimi tjetër përveç marrjes së qetësuesve për dhimbjet. Ai shton se Spitali Memorial ka vënë në dispozicion grafinë dhe rezonancën magnetike të këmbës vetëm pas dy javësh kërkesash të vazhdueshme nga mbrojtja.

Ndreca ngre pikëpyetje mbi përgjegjësinë për vonesën dhe pasojat e mundshme në gjendjen shëndetësore të Veliajt.

“Dy javë të humbura për një këmbë që kishte nevojë për ndërhyrje kirurgjikale! Kush mban përgjegjësi për këtë vonesë? A ka sjellë ajo përkeqësim të gjendjes së këmbës dhe kush do të përgjigjet për pasojat e mundshme?”, shprehet avokati.

Në përfundim, Ndreca thekson se privimi nga liria nuk duhet të cenojë të drejtën për kujdes shëndetësor në kohën e duhur.