Ka shumë elemente të legjendave për vampirët që janë bërë të njohura për të gjithë, përfshirë besimin se ata nuk pasqyrohen në pasqyra dhe se kanë frikë nga kryqi. Një nga elementet më të dallueshme të imazhit të tyre lidhet me legjendën se flenë në arkivole, në vend që të flenë në një shtrat apo në dysheme. Por pse ky detaj është bërë një pjesë kaq e qëndrueshme e mitit të vampirëve?
Historia që qëndron pas këtij besimi
Ideja se vampirët flenë në arkivole është shfaqur në folklor, përfshirë edhe tregime lokale që pretendojnë se kanë të bëjnë me raste të vërteta vampirizmi. Në autobiografinë e tij The Story of My Life, shkrimtari viktorian Augustus Hare rrëfen një histori që, sipas tij, ia kishte treguar një burrë i quajtur kapiten Fisher. Ky i fundit përshkruante një vampir që thuhej se kishte terrorizuar një vend të njohur si Croglin Grange, pranë Guildfordit në Angli.
Sipas tregimit të marinarit, një pjesëtare e një familjeje që qëndronte në atë pronë ishte sulmuar nga një vampir në mes të natës. Vëllezërit e saj vendosën të hetonin në dhomën nëntokësore ku ndodheshin varret e familjes. Aty panë një skenë të pazakontë: shumica e arkivoleve ishin të çrregullullta, me vetëm një përjashtim.
“Vetëm një arkivol kishte mbetur i paprekur. Kapaku i tij ishte ngritur, por vazhdonte të qëndronte lirshëm mbi arkivol. Ata e ngritën dhe aty, i murrmë, i tharë, i rrudhur, i mumifikuar, por ende i paprekur, ndodhej e njëjta figurë e tmerrshme që kishte parë nga dritaret e Croglin Grange. Në këmbë kishte shenjat e një plage të shkaktuar së fundmi nga një plumb pistolete. Dhe ata bënë të vetmen gjë që mund ta shkatërronte një vampir: e dogjën.”
Kjo histori nuk është vërtetuar kurrë, por pretendime të tilla nga folklori janë pasqyruar shpesh në veprat artistike për këto krijesa të mbinatyrshme, pasi përputhen me elemente të tjera të njohura të mitologjisë së tyre.
Ideja se vampirët flenë në arkivole lidhet edhe me një tjetër element të legjendës: ata duhet të shmangin rrezet e diellit, pasi sipas besimit, trupi i tyre shkatërrohet kur ekspozohet ndaj tyre.
Në fakt, kjo ide u krijua nga filmi i vitit 1922, Nosferatu, por që atëherë është bërë pjesë e pandashme e imazhit të vampirit. Edhe besimi se shumë vampirë flenë në kripta, të cilat gjithashtu janë të izoluara nga drita, e përforcon këtë lidhje mes arkivolit dhe shmangies së dritës së ditës.
Një tjetër arsye pse vampirët përfytyrohen duke fjetur në arkivole lidhet me besimin se ata janë krijesa që ngrihen nga të vdekurit. Prandaj, duket e natyrshme që të dalin nga arkivolet ku janë varrosur dhe t’i përdorin ato edhe gjatë ekzistencës së tyre si të pavdekshëm.
Ky detaj thekson gjithashtu izolimin e tyre. Vampirët dikur kanë qenë njerëz, por nuk janë më të tillë. Ideja se flenë në hapësira të mbyllura pasqyron shkëputjen e tyre nga bota njerëzore, së cilës dikur i përkisnin.







