Ballina Sport Tchouameni rinovon kontratën me Real Madridin deri në vitin 2032

Tchouameni rinovon kontratën me Real Madridin deri në vitin 2032

37
0

Real Madridi ka njoftuar zyrtarisht vazhdimin e kontratës me futbollistin francez Aurelien Tchouameni, i cili do të jetë i lidhur me klubin madrilen deri më 30 qershor 2032.

Mesfushori francez e ka zgjatur kontratën edhe për gjashtë sezone të tjera, duke konfirmuar vazhdimësinë e tij në projektin sportiv të Real Madridit, ku është shndërruar në një lojtar të rëndësishëm të repartit të mesfushës.

Me këtë rinovim, Real Madridi dërgon një mesazh të qartë për rëndësinë që ka Tchouaméni në planet e klubit. Madrilenët po investojnë në vazhdimësinë e një futbollisti që konsiderohet pjesë e rëndësishme e së tashmes dhe së ardhmes së skuadrës.

Në sezonin e tij të pestë në Santiago Bernabéu, 26-vjeçari gëzon besimin e plotë të klubit, i cili dëshiron ta mbajë atë për shumë vite të tjera.

Rinovimi i Tchouaménit vjen vetëm 24 orë pas njoftimit për vazhdimin e kontratës së Arda Gülerit deri në vitin 2032. Ndërkohë, Jude Bellingham ka kontratë me Real Madridin deri në vitin 2031.

Këto tri marrëveshje tregojnë qartë strategjinë e klubit madrilen për të siguruar vazhdimësinë e futbollistëve të rinj dhe për të ndërtuar një mesfushë që mund të shënojë një epokë të re në historinë e klubit.

Aurelien Tchouameni iu bashkua Real Madridit në vitin 2022.

Gjatë pesë sezoneve me fanellën e bardhë, ai ka zhvilluar 205 ndeshje dhe ka fituar gjithsej tetë trofe:
1 Ligë të Kampionëve.
2 Kupa të Botës për Klube.
2 Superkupa të Evropës.
1 titull të La Ligës.
1 Kupë të Mbretit.
1 Superkupë të Spanjës.

Me përfaqësuesen e Francës, Tchouameni ka zhvilluar 50 ndeshje dhe ka fituar Ligën e Kombeve në vitin 2021.
Real Madridi kështu vazhdon të blindojë lojtarët kryesorë, duke ndërtuar një skuadër të bazuar në talentin dhe vazhdimësinë e gjeneratës së re.