Ballina Kuriozitete Zbulohen tunelet sekrete nën Shën Sofinë në Stamboll, 420 metra kalime nëntokësore...

Zbulohen tunelet sekrete nën Shën Sofinë në Stamboll, 420 metra kalime nëntokësore të fshehura prej shekujsh

92
0

Një rrjet i gjerë tunelesh nëntokësore, dhoma të fshehta dhe struktura të lashta është zbuluar poshtë Shën Sofisë (Hagia Sophia) në Stamboll, gjatë punimeve restauruese në një prej monumenteve më të famshme historike të Turqisë. Arkeologët kanë pastruar deri tani 420 metra tunele, duke nxjerrë në dritë gjurmë që mund të jenë edhe më të vjetra se vetë ndërtesa, e ndërtuar në shekullin VI.

Sipas Euronews, gjatë punimeve janë identifikuar gjashtë hapësira nëntokësore dhe nëntë tunele, ndërsa janë larguar rreth 3 mijë tonë dhe, baltë dhe materiale të grumbulluara ndër shekuj. Shtatë prej tuneleve janë pastruar plotësisht, ndërsa në dy të tjerët vijojnë kërkimet dhe dokumentimi arkeologjik.

Një nga zbulimet më interesante është një strukturë varrimi nëntokësore, ku studiuesit kanë identifikuar gjurmë ndërtimesh rreth 1.5 metra poshtë nivelit të mëparshëm të dyshemesë. Ekspertët dyshojnë se këto mbetje mund t’i përkasin një periudhe përpara ndërtimit të Shën Sofisë aktuale, e cila u ngrit gjatë sundimit të perandorit bizantin Justinian, mes viteve 532 dhe 537.

Vëmendje të veçantë ka tërhequr edhe një tunel 180 metra i gjatë, që shtrihet paralelisht me fasadën e monumentit. Studiuesit po hetojnë nëse ai ka qenë i lidhur me rrjetin rrugor të Kostandinopojës së lashtë. Ndërkohë, një tjetër kalim nëntokësor duket se shkon në drejtim të Cisternës së Bazilikës, një prej strukturave më të njohura bizantine të furnizimit me ujë.

Sipas shkencëtarëve, tunelet mund të kenë shërbyer për shpërndarjen e ujit dhe largimin e ujërave të shiut. Në disa prej tyre vazhdon të rrjedhë ujë, por origjina e tij nuk është përcaktuar ende.

Ministri turk i Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy, i cili inspektoi punimet, bëri të ditur se autoritetet po shqyrtojnë mundësinë që një pjesë e tuneleve të hapen për turistët. Megjithatë, përpara se kjo të ndodhë, duhet të përfundojnë studimet për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e strukturave.

Zbulimi konsiderohet një hap i rëndësishëm për njohjen e historisë së Kostandinopojës, pasi mund të zbulojë mënyrën se si funksiononte infrastruktura e qytetit të lashtë, e fshehur për shekuj nën një prej monumenteve më të vizituara të Stambollit.