Ballina Kuriozitete Ngrohja globale i shtyn insektet drejt lartësive, por ajri i rrallë i...

Ngrohja globale i shtyn insektet drejt lartësive, por ajri i rrallë i vë në vështirësi

25
0

Ngrohja globale po detyron gjithnjë e më shumë specie të kërkojnë zona më të freskëta, duke u zhvendosur drejt lartësive më të mëdha. Por për insektet, kjo lëvizje mund të ketë një pengesë serioze: në male ajri është më i rrallë dhe përmban më pak oksigjen, duke e bërë më të vështirë mbijetesën.

Një studim i publikuar në revistën Functional Ecology, nga studiues të Universitetit të Montanës, ka analizuar ndikimin e hipoksisë, pra mungesës së oksigjenit, dhe presionit më të ulët atmosferik tek insektet. Përfundimi është se këta faktorë mund të kufizojnë ndjeshëm aftësinë e shumë specieve për t’u zhvendosur drejt zonave më të larta.

Problemi është veçanërisht i madh për insektet fluturuese. Në ajër më të rrallë, krahët duhet të punojnë më shumë për të krijuar forcën e nevojshme për fluturim, çka kërkon më shumë energji. Në të njëjtën kohë, niveli më i ulët i oksigjenit e vështirëson furnizimin e muskujve me këtë gaz.

Vështirësi hasin edhe insektet gjatë fazave të rritjes. Larvat kanë nevojë për shumë energji për t’u zhvilluar, ndërsa tek insektet ujore, si larvat e pilivesave, oksigjeni është më i pakët edhe në ujë. Studime të mëparshme kanë treguar se zhvillimi i disa larvave mund të ngadalësohet ndjeshëm në lartësi të mëdha.

Një tjetër kërcënim është humbja e ujit dhe dehidratimi. Presioni i ulët atmosferik mund të rrisë humbjen e ujit, veçanërisht tek insektet aktive dhe ato që fluturojnë.

Kjo mund të kthehet në një problem për të gjithë ekosistemin. Insektet janë thelbësore për procese si pjalmimi dhe zinxhirët ushqimorë. Nëse nuk arrijnë të ndjekin bimët drejt lartësive më të mëdha, ndryshimet klimatike mund të krijojnë një shkëputje mes specieve dhe habitateve nga të cilat varen.