Programi i Strehimit Social në Bashkinë Shijak po vijon të japë rezultate konkrete për familjet në nevojë. Deri më tani, 46 familje shijakase kanë përfituar nga ky program, ndërsa rreth 100 familje të tjera pritet të përfshihen në fazat e ardhshme të procesit.
Mbështetja e qeverisë shqiptare dhe e Kryeministrit Edi Rama ka qenë vendimtare në realizimin e këtij programi, i cili synon t’u japë zgjidhje një prej nevojave më themelore të qytetarëve, sigurimin e një banese dhe krijimin e kushteve për një jetë më të qëndrueshme.
Kryetari i Bashkisë Shijak, Elton Arbana, ka vlerësuar mbështetjen e Kryeministrit Rama për këtë nismë, duke theksuar se angazhimi i qeverisë ka bërë të mundur avancimin e një procesi me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e dhjetëra familjeve.
Në një postim të tij në rrjetet sociale z.Arbana nënvizon se objektivi është që programi të vijojë deri në përmbushjen e nevojave të familjeve që plotësojnë kriteret e përcaktuara, duke përfshirë çiftet e reja, familjet njëprindërore dhe kategoritë në nevojë për strehim.
“Synimi ynë është që çdo familje e re, familje njëprindërore apo familje në kushte nevoje për strehim, që plotëson kriteret e përcaktuara, të ketë mundësinë të përfitojë nga ky program. Asnjë aplikant që përmbush kushtet e kërkuara nuk do të mbetet pa u trajtuar dhe pa marrë mbështetjen që i takon”, shprehet Arbana.
Kreu i Bashkisë Shijak u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë nevojë për strehim të paraqiten pranë strukturave përkatëse të bashkisë për t’u informuar dhe për të plotësuar dokumentacionin e nevojshëm, duke garantuar vijimin e angazhimit për familjet që janë ende në pritje.
“Strehimi është një nevojë themelore dhe mbështetja ndaj familjeve tona mbetet një nga përgjegjësitë më të rëndësishme që kemi”, thekson Arbana.
Me 46 familjet e para që kanë përfituar dhe rreth 100 të tjera që pritet të marrin mbështetje, Bashkia Shijak synon ta çojë përpara këtë proces, duke e kthyer programin e strehimit social në një mundësi konkrete për më shumë familje që presin të sigurojnë një banesë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre me më shumë siguri.







