Ballina Politika Ndreca akuzon Albana Vokshin: Jo kthimit të Komisionit hetimor si ilaç për...

Ndreca akuzon Albana Vokshin: Jo kthimit të Komisionit hetimor si ilaç për epshet e Byrosë Politike

129
0

Plarent Ndreca, numri dy i komisionit hetimor për Shëndetësinë, ka akuzuar kryetaren Albana Vokshi se e ka kthyer mbledhjen e komisionit, në tallava mediatike.

Në një status në rrjetet sociale, Ndreca thekson se nuk do të lejohet që komisioni të kthehet në një “tallava për të shfryrë epshet e byrosë politike.

Statusi i Plarent Ndrecës

I keqardhur konstatoj se kolegët opozitar harrojnë që OPINIONI PUBLIK është i interesuar për të VËRTETËN dhe asgjë përtej së VËRTETËS.

Komisionet Hetimore e theksoj për të disatën herë, nuk janë banaqe mediatike apo studio televizive, por struktura të përkohshme parlamentare, që kanë për themel zbatimin e Kushtetutës.

Ndaj opinioni publik, për efekt transparence, duhet të di që:

1. Vijon në mënyrë konstante sjellja antikushtetuese e kryetares së komisionit dhe anëtareve përfaqësues të opozitës, duke tentuar devijimin e proçesit nga procedurat ligjore të funksionimit të komisionit dhe imponimit të vendimarrjeve ndaj anëtarëve të shumicës.

2. Ka sjellje të përsëritura në shkelje të plotë të etikës nga anëtarët e opozitës në komision, duke dëshmuar nxitimin e tyre jo drejt të vërtetës, që është objekt i punës së komisionit, por drejt përfitimit të aksioneve partiake, që nuk kanë asnjë lidhje me punën e komisionit.

3. Shkeljet e kryetares së komisionit në drejtim të komisionit shkojnë në pikën, që nuk respekton as rendin e ditës së njoftuar prej vetë asaj. Madje, pavarësisht se kishte vendosur në tavolinë si pikë të rendit të ditës miratimin e datës së mbledhjes së rradhës, në shkelje të plotë të detyrës së saj, nuk lejoi vendimarrjen e komisionit, por e mbylli mbledhjen në mënyrë të njëanshme dhe njoftoj një datë të pamiratuar nga ana e komisionit.

4. Vijon në mënyrë konstante shfaqja e konkluzioneve për produktin e komisionit, akoma pa filluar hetimi nga ana e këtij komisioni, duke dëshmuar në këtë mënyrë jo vetëm paragjykimin e plotë të punës së këtij komisioni, por edhe duke zhvlerësuar më tej çfarëdo veprimi apo vendimarrje të komisionit.

5. Kolegët e opozitës akoma nuk kanë kuptuar, ose nuk kanë dëshirë të kuptojnë, që, ashtu siç thotë Gjykata Kushtetuese në vendimet e saj, opozita ka të drejtën e iniciativës hetimore, por jo përgjegjësinë për procedurën hetimore dhe për rezultatet e hetimit. Kjo është përgjegjësi e komisionit hetimor të ngritur për këtë çështje. Nëse kushtetutëbërësi do kishte vlerësuar së mendimet e opozitës për fenomene të caktuara qeverisëse e jo vetëm, do ishin të barazvlefshme me vendimarrjet e një strukture te posacme hetimore, nuk do kishte arsye pse ta parashikonte këtë instrument kushtetues.

6. Koha kur puna e komisioneve hetimore kthehet në mbledhje “tallava” për të shfryrë epshet e “byrosë politike” dhe ku parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës shkelen me këmbë në forma neobolshevike të tipit “enver-kadri”, ka përfunduar.

Një komision hetimor në institucionin më të lartë të Republikës, duhet të jetë shembulli i respektimit të shtetit të së drejtës, parimeve kushtetuese dhe posaçërisht atij të “procesit të rregullt ligjor”, mbi bazën e të cilit ndërtohet një proces i drejtë i paparagjykuar dhe që krijon premisat për nxjerrjen në dritë të së vërtetës. Pa “proces të rregullt ligjor”, e drejta nuk ekziston dhe e vërteta është e deformuar. Detyra thelbësore e komisionit është pikërisht kjo, të ndërtojë proçes. Nëse ndërtohet proçes i drejtë, provat dhe faktet flasin vetë.