Ballina Opinion Partitë peng, politika peng, Shqipëria peng!

Partitë peng, politika peng, Shqipëria peng!

32
0

Nga Taulanda Jupi

Pengmarrja si e vetmja trashëgimi politike në 36 vite pluralizëm.

Koha nuk gjykon thjesht betejat e fituara apo të humbura, por, mbi të gjitha, modelin dhe gjurmën që mbetet në kulturën politike të vendit.

Në Shqipëri, zhvillimet politike nuk duhen lexuar thjesht si kriza të radhës brenda partive politike. Ato duhen parë si simptoma të një problemi shumë më të thellë, siç është kriza e përfaqësimit politik dhe deformimi i vetë misionit dhe funksionimit të partive në demokracinë shqiptare.

Kriza në Partinë Socialiste dhe ajo që prej vitesh po përjeton Partia Demokratike, pavarësisht dallimeve në natyrën dhe përgjegjësitë e tyre, kanë një pikë të përbashkët: partitë politike e kanë humbur misionin e tyre për të përfaqësuar shoqërinë dhe janë shndërruar në struktura të përqendruara rreth pushtetit dhe interesave të lidershipit (kryetarit).

Në Partinë Socialiste, kriza nuk është çështje parimesh. Ajo buron nga modeli i qeverisjes, përqendrimi i pushtetit dhe mungesa e përgjegjësisë politike për një sistem ku korrupsioni, abuzimi me pushtetin dhe dobësimi i mekanizmave të kontrollit kanë deformuar funksionimin e partisë dhe të institucioneve.

Ky përqendrim pushteti ka prodhuar modelin e partisë-shtet, një nga deformimet më të rënda të demokracisë shqiptare. Interesat e Partisë Socialiste, veçanërisht të Edi Ramës dhe grupit të lidhur ngushtë me të, janë mbivendosur me interesin publik. Administrata, institucionet dhe burimet shtetërore trajtohen si zgjatim i pushtetit partiak, duke zhdukur kufirin mes partisë dhe shtetit dhe duke cenuar pavarësinë institucionale.

Këto shqetësime evidentohen edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian.

Por kriza e përfaqësimit nuk është vetëm në anën e pushtetit.

Partia Demokratike, e cila duhej të ishte alternativa politike ndaj modelit të qeverisjes së Edi Ramës, është shndërruar vetë në peng të krizës së saj të përfaqësimit, identitetit dhe lidershipit. E rrëmbyer nga ambicia dhe nevoja e Sali Berishës për rikthimin në pushtetin e partisë, ajo ka braktisur misionin e saj politik për t’u kthyer në një strukturë që mbron kryetarin, në vend që të ndërtojë një alternativë për vendin. Premtimi se Edi Rama do të rrëzohej brenda gjashtë muajve nga rikthimi i Berishës në krye të PD-së, sot shfaqet si një nga iluzionet më të kushtueshme politike për opozitën.

Ndërsa vendi ka nevojë për ide dhe politikanë me integritet e moral politik, që rikthejnë besimin qytetar, PD-ja vazhdon të konsumojë energjinë në propagandën e mbijetesës dhe të mbrojtjes së kryetarit, si dhe të një grupi njerëzish që kanë si të vetmin qëllim të marrin mandatin e radhës si deputetë.

Kjo rrugë nuk e çon drejt rikthimit në pushtet, por drejt tkurrjes së mëtejshme politike dhe elektorale.

Sot jemi përballë një deformimi të thellë të funksionit dhe misionit të partive politike. Si Partia Socialiste, ashtu edhe Partia Demokratike po e zhvendosin rolin e tyre nga hapësira të përfaqësimit politik, mendimit, debatit dhe konkurrimit të ideve, drejt strukturave që përdoren si bunkerë mbrojtës të kryetarëve përballë institucioneve të drejtësisë.

Në thelb, ky fenomen ka një shpjegim të njohur në teorinë politike. Sociologu Robert Michels e konceptoi si «ligji i hekurt i oligarkisë» (Iron Law of Oligarchy) prirjen e organizatave politike për ta përqendruar pushtetin në duart e një pakice drejtuese, e cila, me kalimin e kohës, fillon të identifikojë interesat e veta me ato të gjithë organizatës. Në këtë pikë, partia pushon së funksionuari si një organizëm demokratik dhe përfaqësues dhe shndërrohet në instrument të ruajtjes së pushtetit të elitës drejtuese.

Por demokracia ekziston pikërisht për ta kufizuar këtë prirje përmes konkurrencës së brendshme, transparencës, rotacionit, kontrollit dhe llogaridhënies. Kur këta mekanizma zhduken, partia pushon së qeni një institucion demokratik dhe kthehet në një «ndërmarrje private».

Për fat të keq, kush i konsideron krizat e partive “çështje të brendshme që nuk duhet të diskutohen në publik”, është ose hipokrit, ose naiv politik. Pasojat nuk mbeten brenda partive. Funksionimi i tyre është një çështje e demokracisë, e përfaqësimit dhe e cilësisë së jetës publike.

Nuk mund të kërkojmë institucione demokratike nga struktura politike që nuk pranojnë demokracinë brenda vetes. Nuk mund të kërkojmë llogaridhënie nga qeveria, nëse vetë organizatat që prodhojnë pushtetin nuk kanë mekanizma të besueshëm llogaridhënieje.

Shqipëria nuk ka nevojë thjesht për rotacion pushteti. Ka nevojë për çlirimin e politikës nga pengmarrja.

Ndaj mendoj se, përveç një reforme të thellë e gjithanshme të sistemit zgjedhor, Shqipërisë i duhet edhe një ligj i ri mbi funksionimin dhe financimin e partive politike.

Trashëgimia politike nuk matet me sa gjatë qëndron në pushtet, sa gjatë je kryetar i një partie apo sa mandate ke si deputet, por me çfarë institucionesh, kulture demokratike dhe mundësish i lë vendit dhe brezave që vijnë.

Shqipëria duhet të çlirohet nga pengmarrja politike. Partitë duhet t’u kthehen qytetarëve, politika ideve dhe shteti interesit publik.

Shënim: Ky shkrim është pjesa e parë e një reflektimi më të gjerë mbi krizën e politikës shqiptare, deformimin e përfaqësimit dhe nevojën për një kulturë të re politike. Një reflektim mbi domosdoshmërinë për ta çliruar politikën nga interesat e ngushta, kulti i individit dhe një kulturë pushteti që riprodhon vetveten, duke rikthyer në qendër idetë, meritën, përgjegjësinë dhe interesin publik.