Është ndarë nga jeta në moshën 77-vjeçare ish-Prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë, Alush Dragoshi. Lajmin e trishtë e kanë bërë me dije të afërmit dhe miqtë e tij të cilët shkruajnë zemërthyer për humbjen e Dragoshit, shkruan newsbomb.al.
Në mesin e reagimeve prekëse është dhe prefekti i Tiranës dhe ish-prokurori Shkëlqim Hajdari i cili shkruan për hunbjen e mikut të tij dhe një personaliteti të shquar të drejtësisë shqiptare.
“Me dhimbje të thellë dhe trishtim të madh mora lajmin e ndarjes nga jeta të Alush Dragoshit, ish-Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë ( 1992- 1997),një personaliteti të respektuar të drejtësisë shqiptare dhe, mbi të gjitha, një miku të rrallë e të pazëvendësueshëm për mua e shumë prokurore, gjygjtare e punonjës të drejtesisë, në Shqipëri.”, shkruan Hajdari në postimin e tij, përcjell newsbomb.al.
Duke sjellë në kujtesë kohërat kur jeta e njohu me Dragoshin, Hajdari shkruan fjalë zemre për mikun e tij nga Kukësi. Nga dita e parë që u njohën dhe bënë miqësi, deri në ditën kur Hajdari takoi Dragoshin në spital. Edhe pse sëmundja e rëndë mund t’i merrte jetën nga momenti në moment, Hajdari shpresonte se miku i tij mund ta fitonte betejën. Por fatkeqësisht brenda pak ditëve, prefekti i Tiranës shkruan se Zoti e mori pranë vetes.







