Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka hedhur akuza të forta ndaj kreut të PD-së, Sali Berisha, duke e cilësuar procesin e referendumit të së shtunës në Parti Demokratike si një “farsë” të manipuluar dhe pa standarde demokratike.
Në një konferencë për mediat, Salianji deklaroi se shifrat zyrtare të publikuara nga drejtuesit e selisë blu janë të fryra artificialisht dhe nuk pasqyrojnë realitetin e pjesëmarrjes së demokratëve në votim. Sipas tij, ndryshe nga pretendimet për rreth 37 mijë pjesëmarrës, në proces kanë marrë pjesë jo më shumë se 5 mijë anëtarë të partisë.
Ai akuzoi Berishën për kontroll total të procesit dhe përjashtim të çdo gare reale brenda PD-së, duke theksuar se kandidaturat alternative janë penguar dhe se procedurat janë zhvilluar pa transparencë.
“Demokratët e braktisën masivisht farsën e Berishës. Ky nuk ishte një proces demokratik, por një garë e kontrolluar. U shpik edhe termi ‘referendum’, që nuk ekziston në statut”, deklaroi Salianji.
Ish-deputeti pretendoi gjithashtu manipulim të shifrave në disa degë të vendit. Ai solli si shembull degën Durrës 1, ku sipas tij janë raportuar 321 votues, ndërsa monitorimi i kryer nga mbështetësit e tij ka evidentuar vetëm 269 persona që kanë votuar realisht.
Salianji renditi edhe shifra të tjera nga degë të ndryshme të PD-së, duke pretenduar se pjesëmarrja ka qenë minimale në qytete si Korça, Dibra, Lezha, Elbasani, Berati, Vlora, Fieri dhe Shkodra. Sipas tij, manipulimet më të mëdha kanë ndodhur në degët e vogla, ku mungonte monitorimi me kamera.
Ai deklaroi se Partia Demokratike po kalon një krizë të thellë politike dhe akuzoi drejtuesit aktualë se po e mbajnë partinë peng për interesa personale.
“Çdo forcë politike që refuzon rinovimin dhe garën reale humbet mbështetjen qytetare. Demokratët kërkojnë standarde demokratike dhe jo një parti ku vendimet merren nga një rreth i mbyllur”, u shpreh Salianji.
Në fund të deklaratës së tij, ai paralajmëroi se heshtja e drejtuesve demokratë përballë situatës aktuale do të ketë pasoja politike për PD-në në zgjedhjet e ardhshme.







