Ballina Kosovë Nisma për Specialen, Çitaku: Synojmë miratimin e shpejtë të ligjit

Nisma për Specialen, Çitaku: Synojmë miratimin e shpejtë të ligjit

31
0

Shefja e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherësh ushtruese e detyrës së kryetares së kësaj partie, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se brenda kësaj jave do të procedohet në Kuvend nisma ligjore për Dhomat e Specializuara.

Pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Çitaku tha se ekspertët janë duke bërë ndërhyrjet e fundit në draft, ndërsa theksoi rëndësinë që kjo nismë të ketë mbështetje të gjerë politike dhe institucionale. Sipas saj, nisma tashmë nuk është vetëm e PDK-së, por ka edhe vulën e institucioneve të Kosovës.

Brenda javës procedohet nisma e re ligjore për Gjykatën Speciale

“Brenda kësaj jave do të procedojmë në Kuvend nismën e re ligjore për Dhomat e Specializuara. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që kjo nismë gëzon unitetin e plotë politik e qytetar në Kuvend dhe është shumë e rëndësishme që jo nismë nuk është vetëm e PDK-së, tashmë kjo nismë ka vulën e institucioneve të Republikës. Ekspertët janë duke bërë ndërhyrjet e fundit, po besoj se sot do të pranojmë një draft të parë, brenda javës do ta procedojmë si nismë ligjore në kuvendin e republikës”, tha Çitaku.

Ajo theksoi se PDK-ja do të jetë e hapur për diskutime dhe rekomandime gjatë shqyrtimit të projektligjit në komisionet parlamentare, me synimin që ligji të miratohet sa më shpejt në të dyja leximet.

Çitaku tha se, pavarësisht dallimeve të thella politike me Lëvizjen Vetëvendosje, Ushtria Çlirimtare e Kosovës mbetet vlerë që i bashkon të gjitha subjektet politike.

Çitaku thotë se PDK është e hapur për diskutime e rekomandime

“Do të jemi të hapur brenda punës që do të bëhet në komisione funksionale, të bashkëbisedojmë, të marrim këshilla, rekomandime dhe synimi ynë jo vetëm i PDK-së është që shumë shpejt brenda një afati shumë optimal, ky ligj të kalojë në të dyja leximet. Ligji është vetëm një nga instrumentet që institucionet do ta vënë në funksion të mbrojtjes së luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje ka qenë kundërshtari ynë politik edhe ditën kur e kemi proceduar ligjin edhe kur e kemi miratuar, është edhe sot, por përkundër hendekut të madh mes nesh dhe dallimeve të thella politike që kemi, UÇK-ja është një vlerë që na bashkon të gjithëve”, tha ajo.

Duke folur për qëndrimin e Bashkimit Evropian ndaj kësaj nisme ligjore, Çitaku tha se kanë qenë të vetëdijshëm që nga fillimi se ajo nuk do të mirëpritej nga BE-ja.

Çitaku kritikon BE-në, thotë se ishte e vetëdijshme se ligji për Specialen nuk do të mirëpritej

“Ne e kemi ditur që nga dita e parë se kjo nismë ligjore nuk do të duartrokitet nga Bashkimi Evropian, por Kuvendi është institucioni prej nga buron legaliteti i Dhomave të Specializuara, institucion të cilin e kemi themeluar në mirëbesim. Ne kemi kryer pjesën tonë të detyrimit karshi partnerëve dhe BE-së, duke e themeluar këtë Dhomë për të hetuar disa pretendime skandaloze e monstruoze sikurse ai për trafikimin e organeve. Fatkeqësisht, BE-ja nuk e ka kryer obligimin e saj ndaj Kosovës, nuk ka arritur që të garantojë një proces të drejtë e të barabartë”, tha Çitaku.

Ndryshe, Kryesia e Kuvendit ka kërkuar opinion nga drejtoria ligjore për veprimet e mëtejshme, pas skadimit të afatit katërjavor për procedimin e raportit lidhur me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, pasi që Rregullorja e Kuvendit nuk parasheh pasoja në rast të tejkalimit të afatit.