Pas Mirela Kumbaros, edhe ministri Blendi Gonxhja ka dalë të mbrojë takimin e kryeministrit Edi Rama me një grup studentësh. Dhe, ashtu si kolegia e tij, ka folur gjatë për rëndësinë e dialogut, lirinë e studentëve për t’u takuar me qeverinë dhe padrejtësinë që u bëhet atyre që pranojnë të ulen me kryeministrin. Vetëm një gjë vazhdon të mbetet pa përgjigje: kush ishin studentët e protestës që morën pjesë në takim?
Në emisionin “Off the Record” në A2 CNN, Gonxhja u kërkoi kritikëve ta marrin jetën “me më pak dramë” dhe madje i këshilloi të gjejnë një jetë më aktive e produktive.
Ministri këmbënguli se në takim kishin marrë pjesë përfaqësues të vërtetë të organizatave rinore, të zgjedhur pa ndërhyrjen e qeverisë. Sipas tij, mes tyre ishte edhe një vajzë që kishte deklaruar se kishte dalë 140 ditë në protestë, si dhe të rinj të tjerë që mbështesnin kërkesat e protestuesve, edhe pse nuk kishin qenë fizikisht në shesh.
Por Gonxhja nuk dha asnjë emër. As të vajzës së 140 ditëve, as të studentëve të tjerë që, sipas tij, përfaqësonin shqetësimet e protestës.
Kështu, ndërsa ministrat e Ramës vazhdojnë të japin intervista dhe të qortojnë ata që kërkojnë transparencë, publiku ende nuk e di kush u ul përballë kryeministrit dhe në çfarë cilësie përfaqësonte studentët.
Për momentin, nga takimi dimë çfarë ka thënë Rama, çfarë mendon Kumbaro dhe çfarë shpjegon Gonxhja. Mungojnë vetëm emrat dhe zëri i atyre për të cilët pretendohet se u organizua takimi: studentët protestues.







