Ballina Ekonomia Bordi i Transparencës publikon çmimet e reja, ja me sa do të...

Bordi i Transparencës publikon çmimet e reja, ja me sa do të shiten nafta dhe benzina

32
0

Bordi i Transparencës ka vendosur uljen e çmimeve të karburanteve në vend. Sipas vendimit të ri, nafta do të shitet me pakicë jo më shumë se 195 lekë për litër, nga 201 lekë që ishte më parë, ndërsa benzina do të pësojë një ulje të lehtë, duke zbritur nga 160 në 159 lekë për litër.

Ndryshimi më i ndjeshëm është te gazi për automjetet. Sipas vendimit të Bordit, çmimi i shitjes me pakicë do të jetë 69 lekë për litër, ndërsa ai me shumicë 57 lekë për litër.

Gjithashtu, është përcaktuar që çmimi i gazoilit për aktivitetin e peshkimit të jetë 99 lekë për litër.

Vendimi u mor në mbledhjen e datës 24 nëntor 2026, në kuadër të masave për monitorimin dhe kufizimin e përkohshëm të çmimeve në tregun e hidrokarbureve, pas shpalljes së situatës së veçantë në këtë sektor.

Çmimet e reja do të hyjnë në fuqi sot, më 24 nëntor, në orën 14:00 dhe do të qëndrojnë në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, kur do të rishikohen në varësi të ndryshimeve në treg.

Bordi i Transparencës u ka tërhequr vëmendjen operatorëve të shitjes me shumicë dhe pakicë për zbatimin e detyrueshëm të vendimit, duke paralajmëruar se në rast konstatimi të shkeljeve do të vendoset pezullimi i aktivitetit.