Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se pas një koordinimi të ngushtë mes Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, me urdhër të Prokurorisë, policia sot ka zhvilluar një aksion në mbylljen e strukturave paralele të Serbisë që kanë operuar brenda Republikës së Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale ministri i Punëve të Brendshme tha se me këtë rast, në Gorazhdec është mbyllur komuna ilegale e Pejës, në Osojan komuna paralele e Istogut dhe në Videjë komuna paralele e Klinës.
“Mbesim të përkushtuar në fuqizim institucioneve të Republikës së Kosovës, në respektim të plotë të Kushtetutës sonë dhe unitaritetit të saj. Koha e paligjshmërisë ka përfunduar dhe institucioni i vetëm i Serbisë brenda Republikës së Kosovës do të jetë ambasada e saj në Prishtinë”, ka shkruar Sveçla.







