Ballina Opinion LEKU, fenomeni i vitit

LEKU, fenomeni i vitit

44
0

Nga Lutfi Dervishi

Ndërkohë që gazeta, televizione, portale, organizata dhe indidividë shpallin njeriun e vitit, pothuaj të gjithë kanë neglizhuar atë që bën që të hidhet uji përpjetë…LEK-un.

Leku që gjatë 2023 dërrmoi euron, turpëroi dollarin, poshtëroi paundin dhe shkatërroi frangen zviceriane. Me një fjalë i bëri për një lek! Në kohën që globi u zhyt në rrënojat e tërmeteve gjeopolitike dhe stuhive financiare, vetëm LEK-u ia doli fitimtar nga kaosi i vitit 2023.

Pavarësisht se bota u bë më e paparashikueshme dhe gjithnjë e më shumë i ngjau emisioneve televizive të mbrëmjes, LEK-u shqiptar vijoi i pa shqetësuar ngritjen.
Shqipëria, Europa e Ballkanit, edhe njëherë tjetër i tregoi Perëndimit dhe pjesës tjetër të globit modelin se si rimëkëmbet ekonomia globale e rrënuar nga luftërat, konfliktet, zgjedhjet “demokratike” dhe kaosi global. Ylli në ngjitje është LEKU!

Ministrat e Financave të G7 kanë pranuar më në fund atë që tregjet financiare kishin kohë që e paralajmëronin: ekonomia globale do të gjejë stabilitet vetëm te LEKU. Harrojeni dollarin, euron, paundin britanik apo frangën zviceriane, është koha e xhevahirit të Mesdheut – Lekit.
“Askush nuk duhet të shqetësohet nga rënia e Euros apo luhatjet e dollarit; të gjithë jemi dëshmitarë të rritjes së pandërprerë të Lekut shqiptar. Ky është fakt”- tha ministri i Financave të Gjermanisë. “Zgjedhja nuk është më në dorën tonë. Zgjedhjen e kanë bërë tregjet”- tha ministri i Financave të SHBA. “Nuk ka më kuptim të themi Leku apo Euro. Është njëlloj si të pyesësh a dëshiron një verë të mire franceze apo një uthull molle bullgare- tha me shpoti ministri francez i Financave.

Ekspertët bien në mendje se është koha për t’i kthyer kurrizin, monedhës globale dollarit dhe për të pritur me krahë hapur – LEKUN.

 

 

“Kush heziton, harron se jeton në shekullin e 21-të”- tha ministri i Financave të Kanadasë.
“Para 70 vjetësh ne pranuam që paundi nuk ishte më monedhë globale, sot duhet të tregohemi praktik, të shohim realitetin në sy dhe të mos mbyllim sytë, është koha e lekut”- tha ministri Financave të Britanisë së Madhe.
Shefat e financave të vendeve më të industrializuara të botës kanë vendosur me unanimitet që selia e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) të zhvendoset nga Uashingtoni në metropolin e Durrësit. Harrojeni kryeqytetin zyrtar të Amerikës, është koha që epiqendra financiare e botës të vendoset në qytetin e njohur për plazhin, historinë dhe projektin “Dubai i Adriatikut”. Edhe Banka Botërore do të zhvendosë selinë e saj në Marina Bay në Vlorë. Tirana ishte kandidate e parë për selinë e FMN-së, por zhvendosja në Durrës erdhi vetëm për shkak të trafikut të rënduar nga 10 milionë turistë që vizituan kryeqytetin shqiptar.

Arsyeja e zhvendosjes së BB dhe FMN është rikthimi i paqes në tregjet globale financiare. Asgjë nuk i qetëson më shumë investitorët se valëzimi i valëve në brigjet e Adriatikut dhe Jonit.
Fatet e ekonomisë globale tani janë në duart e lekut.

Kritikës se këto lëvizje fetishizojnë paranë dhe se paraja nuk është gjithçka e nuk të sjell lumturinë, Ministri i Financave të Italisë iu përgjigj:
“E vërtetë. Paraja nuk të sjell lumturinë, por unë preferoj të qaj në Ferrari”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu