Nga Ylli Pata
Bëri çudi rikthimi i arrestimit të Fatos Nanos sot nga Sali Berisha. Se ai rast i takon një kohe të largët, të harruar dhe njeriu që Sali Berisha përmend, nuk është më në politikë. E megjithatë, doktori nuk ka pasur mëshirë, e ka quajtur hajdut Fatos Nanon, duke përmendur madje se ka vjedhur 10 milion euro, edhe pse euro ka hyrë si monedhë 10 vjet më pas, por edhe se Fatos Nano nuk ka 17 kulla të marrë nga një vendim qeveritar siç ka ndodhur me klubin Partizani.
Por duket se Berisha i është rikthyer rastit të Fatos Nanos, për ta konsideruar veten si një person që po përjeton një persekutim politik apo hakmarrje si pasojë e arrestimit dhe dënimit të liderit të opozitës shqiptare.
Është një argument i fortë, madje shumë i rëndësishëm për diskutim edhe pse i përket një kohë të vjetër sikur sot në opinionin publik të diskutohet mbi këtë çështje. Por a mund të ndodhë që panelet 80 përqind berishjane të pranojnë një përballje të tillë të argumenteve të proceseve Nano-Berisha? Ku avokati i Sali Berishës që ka qenë prokurori që ka kërkuar arrestimin e dënimit të Fatos Nanos të përballet me avokatët e ish-liderit të opozitës. Të cilët kanë qenë: Spartak Braho, Agim Tirana e Përparim Sanxhaku. Asnjëri prej avokatëve të Fatos Nanos nuk janë sot personazhe publike, madje secili bën jetën e vet familjare e njerëzore, përveç Spartak Brahos, i cili si politikan veteran flet herë pas here.
Berisha thotë që Nano ka përvetësuar 10 milionë euro, kur asnjë prokuror nuk e ka thënë këtë. Kur akuza më e tmerrshme e bërë ndaj tij nga avokati i doktorit sot është: abuzim në favor të të tretëve.
E që natyrisht nuk krahasohet me një konglomerat kullash që dhëndri i Sali Berishës përfitoi me vendime të vjehrrit të tij. Përpara se të merrte 17 kullat Jamarbri nuk ishte milioner, por u bë kur e shkatërroi klubin Partizani e mbi të ndërtoi pallatet, duke qenë vazhdimisht njeriu kryesor i aferës. E ku ende nuk janë sqaruar se ku u morën paratë për të ndërtuar 17 kullat.
E megjithatë si Jamarbri, ashtu edhe Sali Berisha janë të lirë sot, e Fatos Nano, pikërisht në komentin kur prokuroria e përgjithshme e komanduar nga presidenti Sali Berisha, i cili shkarkoi Maksim Haxhinë dhe emëroi zëvendëskryeprokurorin për akuzën ndaj Nanos, u arrestua menjëherë. Madje duke i ndaluar çdo komunikim me mjedisin e jashtëm.
Të vetmit materiale që ju lejuan Fatos Nanos ishin librat e shenjta. E në fund, Fatos Nano u shpall i pafajshëm nga një gjykatë e Republikës së Shqipërisë për akuzën që Sali Berisha ja kishte ngritur. Mori pafajsinë dhe lekët kokërr më kokërr.
Atëherë pse e përmend Sali Berisha sot, si një mjegull të vjetër të ndërgjegjës së tij? E përmend sepse ndoshta kërkon ta konsiderojë veten si pjesë e hakmarrjes së socialistëve sepse ju burgosi kryetarin. Ja edhe mund të qëndrojë si argument, por kur nuk ke bërë abuzim je i qetë, edhe sikur nga kundërshtarët mund të vijë furtuna.
Fatos Nano e ka lënë politikën në vitin 2005, por gjatë qeverisjes së tij kurrë nuk është marrë me Sali Berishën. Madje siç thonë njerëz të afërt të Nanos, ai nuk donte që të ndërmerrte një aksion gjyqësor ndaj njeriut që kishte shkatërruar tmerrin e 1997-s. Po sot që Berisha sfidon Fatos Nanon, e i thotë se ka vjedhur 10 milionë euro, çfarë do të thotë lideri historik i së majtës shqiptare?
Edhe pse ai ka folur kur ka qenë koha, sot është realisht momenti kur Fatos Nano duhet t’i tregojë Sali Berishës diferencën me të. Edhe pse realisht Berisha atë po kërkon, rastin për tu shpallur martir për një arsye apo tjetër. Po pse ja dha klubin Partizani dhëndrit të tij? Kur të gjithë ishin kundër? Për të ndërtuar 17 kullat, për të cilat Berisha thotë se i takojnë familjes së tij. Por SPAK thotë se nuk i takojnë. Po sa ka fituar Berisha nga 17 kullat? Secili i bën llogaritë vetë!