Lajmi për miratimin nga ShBA-ja të kërkesës së Kosovës për furnizim me raketa anti-tank “Javelin”, ka shkaktuar bujë edhe në Kroaci.
Mediumi kroat ‘Slobodna Dalmacija’, në versionin online të tij, shkruan sot se lajmi që i është komunikuar sot presidentit serb nga ambasadori amerikan Christopher Hill, është një tronditje për Serbinë.
“Çfarë goditje nga Amerika për Serbinë: ambasadori amerikan bëri një vizitë të jashtëzakonshme te Vuçiqi dhe ia tha atij lajmin që e tronditi”, shkruan ‘Slobodna Dalmacija’.
Gazeta kroate shkruan se presidenti Vuçiq tha se ky informacion është një zhgënjim i madh për Serbinë, por se Serbia do të punojë së bashku me SHBA-në për të ruajtur marrëdhëniet serbo-amerikane.
“Vuçiq më herët kishte deklaruar se Serbia është fuqia më e fortë e tankeve në Ballkan. Por, ‘Javelinat’ përdoren për të shkatërruar tanke. Pra, nëse Serbia planifikon të pushtojë Kosovën në të ardhmen, ‘Javelinët’ mund të jenë një pengesë e vërtetë”, shkruan gazeta kroate.
Javelin u prodhua fillimisht në vitet 1990.
Për herë të parë, “Javelin” u përdor për të shkatërruar bunkerë, ndërtesa dhe struktura të tjera të fortifikuara pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Afganistan dhe Irak.