Komisioni Evropian ka mohuar në mënyrë kategorike pretendimet se serbët e Kosovës po diskriminohen pasi nuk po mund ta shfrytëzojnë vendimin e liberalizimit të vizave meqë Bashkimi Evropian ende nuk po mund të marrë një vendim të përbashkët ndërinstitucional që ky vendim të vlejë edhe për bartësit e pasaportave ilegale serbe.
“Banorët serbë po ashtu mund të zgjedhin të aplikojnë për pasaporta biometrike të Kosovës për të udhëtuar në BE pa viza nga 1 janari i vitit 2024“, ka thënë Anitta Hipper, zëdhënëse e Komisionit Evropian për Çështje të Brendshme.
Në prill të vitit të kaluar, Komisioni Evropian kishte theksuar se liberalizimi i vizave për Kosovën – i cili hyri në fuqi më 1 janar – vlente vetëm për poseduesit e pasaportave të Kosovës dhe jo për ata qytetarë që kanë pasaporta të Administratës Koordinuese, e cila punon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, e të cilat pasaporta sipas Qeverisë së Kosovës janë ilegale.
Megjithatë Komisioni Evropian më 16 nëntor propozoi që liberalizimi i vizave për Kosovën të vlejë edhe për ata që posedojnë pasaporta ilegale, gjë që u kundërshtua nga Qeveria e Kosovës.
Që nga nëntori i vitit të kaluar nuk është marrë asnjë vendim në këtë drejtim, ndërsa Komisioni Evropian tha se që po pret që në procesin e përbashkët ndërinstitucional në Bashkim Evropian të miratohet kërkesa e tij që liberalizimi i vizave të vlejë edhe për bartësit e pasaportave të Serbisë, të cilët banojnë në territorin e Kosovës.
“Pasi të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli, ky propozim do të plotësojë hyrjen në forcë të regjimit pa viza për bartësit e pasaportave të Kosovës. Kjo di tu mundëson të gjith qytetarëve të Ballkanit Perëndimore të udhëtojnë pa viza në BE“, tha për Radion Evropa e Lirë Anitta Hipper.