Krahu i djathtë i Sali Berishës, tashmë një nga eksponentët e fundit të Rithemelimit i gatshëm të sakrifikohet për të mbrojtur si kamikaz ish-kryeministrin në arrest shtëpie, rrezikon një inkriminim nga SPAK për pastrim parash. Flamur Noka, tashmë nën hetim për zjarrvënie të së Kuvendit, do të duhet të përgjigjet për një krim të rëndë financiar që parashikon një dënim maksimal deri në 15 vite burg. Burime të mirëinformuara bëjnë të ditur se një kallëzim penal i detajuar është përgatitur të dorëzohet në ditët që vijojnë në SPAK, autoriteti që është kompetent për të hetuar pikërisht pastrimin e parave.
Ende nuk njihen shumë detaje në dosjen voluminoze që mban emrin e Flamur Nokës, por mësohet se në dokumentacionin e mbledhur përmbahen pagesa, kontrata, shitblerje apartamentesh dhe kalime financiare nga ana e këtij eksponenti politik, i cili edhe pse nuk ka asnjë detyrë profesionale, bën një jetë shumë luksoze. Pasi ka marrë një kredi pa interesa prej 5 milionë lekësh si i pastrehë, Flamur Noka ka nisur të pasurohet në një mënyrë misterioze duke arritur të blejë deri një makinë me kosto 40 mijë euro.
E paharruar fotoja e tij gjatë protestave të disa ditëve më parë ku kishte veshur një palë xhinse 680 euro dhe atlete prej 340 eurosh. Me ç’para, financon Noka luksin e tij?
Gazetari investigativ Adriatik Doçi në një postim në Facebook risjell në vëmendje disa operacione të dyshimta të bëra nga Noka mes vitit 2012 dhe 2013.
”Kokë e ‘zgjuar” Mul Noka. Shet një apartament 83 m2, kati 8 në ish Bllok, me vlerë 180 mijë euro. Blen një apartament, në një zonë më të shtrenjtë, te diga e Liqenit, pallati i famshëm i kuq, 190 m2, për 151 mijë euro. Pra ka blerë me 800 euro m2 në zonën më të shtrenjtë të Tiranës, kati II, ndërsa ka shitur me 2.100 euro m2, në një zonë më të lirë, kati 8. Realisht shtëpia e Mulit te Liqeni, bashkë me garazhin, kushton rreth 1 milionë euro.
Gazmend Bardhi e ka akuzuar gjithashtu Flamur Nokën edhe për fshehjen e një vilë 760 mijë euro në Gjirin e Lalzit.
Zyrtarisht ajo vilë në Gjirin e Lalzit është në emër të një oligarku shqiptar, i cili edhe pse ka marrë favorizime gjigante nga qeveria socialiste, vazhdon të jetë “rastësisht” edhe financuesi kryesor i televizionit të Shkëlzenit, Syri tv. Në realitet të gjithë e shohin dhe e dinë që ajo vilë i përket Flamur Nokës. Pavarësisht se është përpjekur për ta shitur me qëllim ta fshehë objektin e krimit, pikërisht fakti që mund të jetë pjesë e një operacioni pastrim parash, ajo vilë buzë detit, sipas informacioneve të siguruara nga Report Tv ende nuk ka gjetur një blerës.