Ballina Europë Mijëra njerëz në demostrata kundër qeverisë, DW: Presidenti polak bën “kthesë”, zbut...

Mijëra njerëz në demostrata kundër qeverisë, DW: Presidenti polak bën “kthesë”, zbut polemikat për ministrat e arrestuar

27
0

Pas javësh acarimi politik, presidenti polak Andrzej Duda ka hedhur një hap drejt çshkallëzimit. Ai nisi procedurën e faljes për dy ish-politikanë, të cilët u arrestuan mbrëmjen e së mërkurës (10.01.2024) në banesën e tij zyrtare dhe u dërguan në burg.

Ish-ministri i Brendshëm, Mariusz Kaminski dhe zëvendësi i tij Maciej Wasik u dënuan në shkallë të dytë më 20 dhjetor 2023 me dy vjet burg.

Duda kishte deklaruar gjithmonë se falja që u kishte bërë dy politikanëve pas dënimit të tyre në shkallë të parë, tetë vjet më parë kishte qenë e efektshme dhe se rihapja e procesit gjyqësor si dhe vendimi i gjyqtarit përbënin shkelje të ligjit.

Nga ana tjetër, shumica e juristëve si dhe Gjykata e Lartë i kishin vënë pikëpyetje faljes së dhënë nga Duda në vitin 2015, pasi ajo ishte bërë ende para përfundimit të gjykimit. Kaminski dhe Wasiku, të dy nga ish partia në pushtet Ligj dhe Drejtësi (PiS), u dënuan për shpërdorim të pushtetit në 2007, kur drejtonin agjencinë kundër korrupsionit CBA.

Pas një takimi me bashkëshortet e dy politikanëve të burgosur të enjten (11.01.2024), Duda iu drejtua Prokurorit të Përgjithshëm Adam Bodnar, njëherësh ministër i Drejtësisë, për t’i kërkuar pezullimin e paraburgimit të tyre deri në përfundimin e procedurës së faljes.

“Mariusz Kaminski është miku im, e njoh, është një njeri i sinqertë si kristali”, deklaroi kryetari nacional-konservator i shtetit . Dy politikanët u dënuan sepse i shërbyen shtetit dhe luftuan korrupsionin, “edhe brenda elitës qeverisëse”, shtoi ai. “Ata janë të burgosurit e parë politikë që nga viti 1989,” theksoi Duda, duke shtuar se çdo ditë shtesë e kaluar në burg përbënte rrezik për shëndetin e tyre. Kaminski dhe Wasiki filluan një grevë urie të mërkurën (01/10/2023). Bashkëshortet e tyre shprehën shpresën se do t’i shihnin burrat e tyre “sot në shtëpi”.

Çshkallëzim apo përshkallëzim?

“Jam i lumtur që presidenti ka hyrë në rrugën e çshkallëzimit,” tha kreu i Parlamentit Szymon Holownia për kanalin televiziv privat TVN të premten (01/12/2023). “Kjo është një mënyrë e mirë për të dalë nga kjo krizë ligjore dhe politike,” konfirmoi gjithashtu ish-presidenti Aleksander Kvasniewski. “Duda i shpëtoi turpit duke ndihmuar për të zgjidhur atë që mund të ishte bërë shkëndija e një konflikti që mund të hidhte në erë të gjithë politikën polake,” shkruan Boguslaw Chrabota, kryeredaktor i së përditshmes Rzeczpospolita.

Rruga e faljes e zgjedhur nga Duda, e cila parashikon ndërhyrjen e Prokurorit të Përgjithshëm, megjithatë do të thotë se procedura mund të zgjasë disa muaj.

Ministri i Drejtësisë, Bodnar konfirmoi në një konferencë shtypi të premten (12.01.2024) në Varshavë, se ka marrë letrën e presidentit për procedurën e faljes. “Procedura ka filluar. Kam kërkuar dokumentet nga gjykata”, tha Bodnar, por se nuk e ka marrë një vendim. Detyra e tij, ka vazhduar Bodnar, është të analizojë, nëse është e mundur heqja e burgimit, si e ka kërkuar presidenti. “Ne nuk do të veprojmë me nxitim”, tha Bodnar.

Lirimin e të arrestuarve e kërkuan të enjten në mbrëmje edhe pjesëmarrësit në një marshim proteste në Varshavë. Fillimisht, demonstrata, nën sloganin “Marshimi i polakëve të lirë”, kishte për qëllim të protestonte kundërristrukturimit të mediave publike, të kontrolluara deri tani nga PiS, të imponuar nga qeveria Tusk. Disa dhjetëra mijëra mbështetës të PiS u mblodhën para ndërtesës së Parlamentit në qendër të qytetit. Autoritetet e Varshavës folën për 35.000 pjesëmarrës, politikanët e PiS për 300.000. Presidenti i PiS Jaroslaw Kaczynski e ka bërë të qartë se ai  mbështet një konfrontim të plotë me qeverinë e re.

Kaczynski sulmon Tuskun dhe Gjermaninë

“Ky pushtet shtetëror nuk është polak. Ne duhet ta zëvendësojmë atë,” tha Kaczynski, duke bërë thirrje për një “betejë të madhe” për një Poloni sovrane. Megjithatë, ai theksoi se debati duhet të bëhet “me fletëvotim”. Kreu i PiS paralajmëroi për një “plan gjerman dhe pjesërisht francez”, objektivi i të cilit është “eliminimi i atdheut tonë”. “Imperializmi gjerman është rikthyer,” tha ai. Kaczynski vuri gjithashtu në pikëpyetje zhvillimin e zgjedhjeve të fundit parlamentare. “Si shkuan këto zgjedhje dhe referendumi, askush nuk e di,” tha ai.

Pjesëmarrësit në “Marshimin e polakëve të lirë” iu drejtuan selisë së qeverisë. Ata thërrisnin slogane që krahasonin qeverinë e qendrës së majtë të Donald Tusk-ut me regjimin ushtarak komunist të gjeneralit Wojciech Jaruzelski, në fillim të viteve 1980.

“Kaczynski ëndërron të marrë Kapitolin,” tha Mariusz Witczak, deputet i koalicionit qeveritar.

Diskutimet për buxhetin nën presion

“Kaczynski po radikalizon partinë e tij për ta mobilizuar atë – veçanërisht bërthamën e fortë – përpara zgjedhjeve të ardhshme komunale dhe evropiane,” shpjegon politologia Barbara Brodzinska-Mirowska. “Përkrahësit besnikë të PiS e konsiderojnë Donald Tusk-un si një personazh të zi. Por kjo është një gjë e vogël në krahasim me ndjenjat që ka Jaroslaw Kaczynski ndaj tij. Këtu mund të flasim për urrejtje,” komenton gazetarja Zuzanna Dabrowska në Rzeczpospolita.

Falja e politikanëve e zbuti konfliktin, por nuk i dha fund. Dënimi dhe mohimi i të drejtave civile nënkupton automatikisht humbjen e mandateve parlamentare të Kaminskit dhe Wasikut. As të prekurit, as PiS, as Duda nuk duan ta pranojnë këtë.

Edhe para arrestimit, Kaminski kishte paralajmëruar se vetëm dhuna fizike mund ta pengonte të merrte pjesë në seancën e Sejmit. Konflikti në Parlament mund të pengojë punën për ligjin e buxhetit 2024. Në këtë drejtim, projekti duhet t’i paraqitet presidentit për nënshkrim jo më vonë se 29 janari. Përndryshe, Duda mund të shpërndajë Parlamentin dhe të shpallë zgjedhje të reja.DW

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu