Nga Ornela Çuçi
Është një ish-emigrant, tani ambasador i vendit tonë, të cilin prej kohësh e kam admiruar në distancë. E kam fjalën për zotin Uran Ferizi.
Më ka lënë pa fjalë ky djalë, me historinë e tij të suksesit në kërkimet më të fundit shkencore për “zbulimin e hershëm të sëmundjes së parkinsonit”, në universitetin Standord.
Një histori e rrallë suksesi dhe sakrificash të cilën e bart si biografi të vetes Uran Ferizi, akademiku i njohur me karrierë të shkëlqyer në Britani dhe SHBA, aktualisht Ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar.
Përveç tjerash, kjo histori është edhe një sprovë kujtese për Shqipërinë dhe shqiptarët e fillim viteve ’90. Pra, të atyre viteve kur ikja masive nga atdheu, nëpër vise me rrugë e pa rrugë, tërhiqte vëmendjen e mediave botërore dhe na nxirrte si popull në arrati.
Ambasadori Ferizi ishte një nga ne, që ikëm përmes maleve a me skaf, por që ia doli ta ndryshonte fatin dhe jetën e vet, siç rrallë ndodh në këto rrëfime. Tashmë ai i kushtohet një detyre të re, themelore për komunikimin e mirë mes dy vendeve, sidomos në çështjen e ndërlikuar të emigracionit.
Me angazhimin e ri diplomatik, z. Ferizi nuk po bën vetëm përfaqësimin e interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve, por po shërben gjithashtu në vendin ku iu ofruan shanset e edukimit dhe kualifikimit. Kjo përpjekje e tij është një kontribut i madh për të mirën dhe në dobi të të dy vendeve.
Kur mori letrat kredenciale si ambasador, ishte historia prej emigrant e ambasadorit Ferizi ajo që u përfol më shumë, ndonëse nuk u morën vesh asnjëherë qëllimet që fshiheshin prapa.
Me qetësi të admirueshme dhe shkathtësi të lavdërueshme, ambasadori Ferizi përdori këtë gjë, duke vënë theksin tek kapërcimi jetësor, prej një emigrant në një akademik të suksesshëm.
Prandaj, do të duhej që të gjithë ta mbështesnim, jo vetëm kur përmendet për arritjet e larta akademike, por veçanërisht kur kontribuon për vendin, prej të cilit përditë e më shumë largohen ata që janë si ai.