Gazeta e përditshme zvicerane “Tages-Anzeiger” i ka kushtuar një artikull ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, pas intervistës që ky i fundit dha mbrëmjen e djeshme për Syri TV, ku shënjestroi direkt kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun Erion Veliaj si pronarë të inceneratorit të Tiranës.
“Arben Ahmetaj kërkohet nga drejtësia shqiptare me urdhër-arresti pasi mësohet se ka përvetësuar shumë para. Tani ai ka dhënë një intervistë shpërthyese – me sa duket nga Zvicra”, thotë artikulli, duke vazhduar “Vendi ku u takuan dy burrat nuk u zbulua. Por sipas disa burimeve intervista ka ndodhur në Zvicër.”
“Tages-Anzeiger” ka kërkuar informacion dhe nga Sekretariati Shtetëror për Migracionin në Zvicër për mundësinë e aplikimit për azil nga ish-numri dy i qeverisë shqiptare, por institucioni nuk ka dashur të komentonte rastin “për arsye të të dhënave dhe mbrojtjes personale”.
Megjithatë, gazeta e përditshme zvicerane thotë se Shqipëria konsiderohet si vend i sigurt origjine në Zvicër që nga viti 2014 dhe azilkërkuesit shqiptarë nuk kanë pothuajse asnjë shans të përfitojnë qëndrim.
“Prandaj, autoritetet në Tiranë mund të kërkojnë ekstradimin e Ahmetajt nëse ai ndodhet në Zvicër. Por deri tani fjala e vetme zyrtare është se nuk e dimë se ku është Ahmetaj”, thotë shkrimi, duke bërë një paralelizëm me rastin e policit Dritan Zagani, i cili mori azil në Zvicër për shkak të kërcënimeve në Shqipëri.







