Ballina Kosovë 33 kg marihuanë drejt Kosovës, bie në pranga shqiptari, në kërkim shoku...

33 kg marihuanë drejt Kosovës, bie në pranga shqiptari, në kërkim shoku i tij

92
0

Një sasi prej 33 kg marihuanë është sekuestruar nga Policia e Kosovës mbrëmjen e kaluar në bjeshkët e fshatit Vërmicë. Lënda narkotike ishte në posedim të dy personave që dyshohet se kishin hyrë nga Shqipëria në Kosovë përmes shtigjeve malore në mënyrë të paligjshme.

Si pasojë është bërë i mundur arrestimi i njërit prej tyre, ndërsa tjetri ka mundur të arratiset.

Policia e Kosovës bën me dije se marihuana ishte e vendosur në dy çanta me 11 paketime, të cilat janë sekuestruar. Sakaq vijon puna për kapjen e personit tjetër të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Marihuana e paketuar

“Policia e Kosovës njoftoi se Sektori i Hetimeve nga Departamenti për Kufi gjatë realizimit të një plani operativ, më 22.02.2024, në bjeshkët e fshatit Vermicë ka vërejtur dy persona të dyshuar duke hyrë nga territori i Republikës së Shqipërisë në territorin e Republikës së Kosovës përmes rrugëve malore në mënyrë të paligjshme.

Personat janë vërejtur se gjatë lëvizjes, në shpinë bartnin ngarkesa të dyshuara, ku pasi kishin hyrë në zonën e Republikës së Kosovës, nga zyrtarët policor janë urdhëruar që të ndalojnë, mirëpo ata i kanë lëshuar ngarkesat që bartnin dhe kanë filluar që të ikin, por njëri nga ata është arritur të ndalohet nga ana e zyrtarëve policorë”,- thuhet në njoftimin e Policisë.